Duke folur në 16-vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se 14 shkurtin e këtij viti nuk e shohin si një datë që kanë fituar, por si shans që i kanë dhënë qytetarët për bërjen e Kosovës republikë të zhvilluar, demokratike dhe me sistem drejtësie të konsoliduar.
“Kemi shumë punë përpara, mirëpo të gjitha betejat e vogla e të mesme janë fituar në mënyrë që të kemi shansin për betejë të madhe, prandaj edhe 14 shkurtin e këtij viti, ne nuk e shohim si një datë që fituam dhe duhet të rehatohemi, por si shans që na dha qytetari i republikës për betejën e madhe të bërjes së Kosovës republikë e zhvilluar, demokratike e me drejtësi“, tha ai.
Kryeministri theskoi se VV-ja ka përdorur mekanizma të shumtë për t’u afruar me shtetin e Shqipërisë.
“Alternativa jonë qeverisëse është po ajo edhe synimet tona vazhdojnë të mbeten të njëjta, mirëpo ne përdorim gjithnjë e më shumë mënyra, gjithnjë e më shumë mekanizma e instrumente për ta realizuar qëllimin e njëjtë, të bëjmë hapa drejt afrimit me Republikën e Shqipërisë dhe t’i ndihmojmë shqiptarët kudo që janë në Ballkan që të faktorizohen sa më shumë e sa më shpejt“, tha ai.
Kurti, ka theksuar edhe një herë se Kosova duhet ta padisë Serbinë për gjenocidin e kryer para 22 vitesh.
“Serbia ende qeveriset nga persona që kanë qenë ministra e zyrtarë të lartë në kohën kur këto masakra janë urdhëruar e zbatuar. Sigurisht, ata sot nuk mund të vijnë më të na pushtojnë e të na vrasin, por ëndrrat e tyre jo vetëm nuk i mohojnë por i proklamojnë vazhdimisht, me investimet e shfrenuara për armatim modern duke blerë armë prej Rusisë, Bjellorusisë e të tjera.
Pse armatoset Serbia, ky vend që ende nuk ka kërkuar falje për krimet masive që ka bërë 22 vite më parë. Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid. Vrasjet e civilëve, grave shtatzëna, të miturve, foshnjave, pleqve, përdhunimi i përdorur si armë luftë janë dokumentuar e po dokumentohen”, ka thënë Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




