Nga Gazeta ‘Si’- Një javë më parë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani propozoi zbatimin e njëanshëm të marrëveshjes me Serbinë në këmbim të njohjes dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Ajo tha se deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete nga ana e partnerëve ndërkombëtarë për një gjë të tillë por nuk mund të kërkohet zbatimi i detyrimeve të dala nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit vetëm për Kosovën.
Referuar Osmanit, Serbia është tërhequr formalisht nga kjo marrëveshje dhe po sillet sikur nuk ka asnjë detyrim.
Ndonëse ajo e bëri të qartë se ky qëndrim ishte i saji dhe jo domosdoshmërisht i konsultuar me institucionet e tjera të Kosovës, ideja e saj nuk ka gjetur mbështetje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti deklaroi se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve nuk është tryezë suedeze dhe duhet të zbatohet në tërësi dhe në mënyrë të sekuencuar.
“Nuk është marrëveshja bazike një tryezë suedeze ku mund ta marrësh gjellën tënde të preferuar dhe t’i hedhësh të tjerat. Gjashtë fjali në preambulë, 11 nene në marrëveshje, plus aneksi i zbatimit nga Ohri i marsit të vitit të kaluar me 12 pika, pra duhet ta kemi pikënisje tërësinë, jo ndonjë pjesë duke mohuar tërësinë.
Unë e kam diskutuar edhe në Bruksel këtë. Nuk mund të ofroj unë kafe pa filxhan. Cili është burimi legal juridik i Asociacionit? A është Kushtetuta e Kosovës, apo diçka tjetër?
Beogradi thotë ‘nuk e pranoj Kushtetutën e Kosovës’. Atëherë pse jemi duke diskutuar?
Nuk mund të thuash ‘unë kam marrë sa kam marrë, dua të marr edhe më shumë por ti nuk ekziston’. Ata duhet ta pranojnë Kosovën, çkado që kërkojnë për serbët në Kosovë duhet ta kërkojnë përbrenda rendin juridik dhe kushtetutës të Republikës së Kosovës”, deklaroi Kurti.
Edhe opozita në Kosovë nuk e përkrahu këtë ide.
Sipas saj, Kosova nuk ka garanci konkrete nga faktori ndërkombëtar për ta mbështetur anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Ndaj, në rrethana të tilla, përfaqësues të opozitës në Kosovë mendojnë se ajo duhet të vazhdojë të qëndrojë brenda kornizës së marrëveshjes në mënyrë që palët të zbatojnë obligimet në mënyrë të barabartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.