Gazeta Si – Në kohën kur faktori ndërkombëtar ka rinisur në mënyrë urgjente bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, kryeministri Albin Kurti i ndodhur në Vjenë ka dalë hapur kundër krijimit të Asosacionit të kërkuar me ngulm nga Serbia.
Kryeministri i Kosovës, Kurti në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve “APA”, ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon një Asociacion të tillë.
“Unë e kam marrë pushtetin vitin e kaluar, kanë qenë paraardhësit e mi që e kanë nën shkruar këtë marrëveshje me të njëjtit njerëz që janë edhe sot në pushtet në Serbi. Pse nuk e zbatuan atëherë? Kushtetuta jonë nuk njeh Asociacion një etnik”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se as qytetarët serbë në Kosovë nuk duan Asociacion të tillë, por këtë e do Beogradi.
“Vetëm Beogradi e dëshiron në këtë mënyrë, që të kompensohet për humbjet që pësoi në luftën në kohën e Millosheviçit”, ka thënë Kurti.
Sa i përket planit franko-gjerman, ai ka thënë se është bazë e mirë për negociata.“Ka shumë mangësi, por është pikënisje e mirë”, tha Kurti.
Ai është optimist se mund të arrihet një marrëveshje Kosovë – Serbi brenda dy vjetëve të ardhshëm. “Njohja e ndërsjellë nuk do të jetë çështja e vetme, por duhet të jetë pjesa qendrore. Unë jam shumë optimist, pasi me presidentin amerikan Joe Biden në Uashington dhe me kancelarin Olaf Scholz në Berlin, kemi mundësi të mirë të arrijmë marrëveshje”, theksoi Kurti.
Ndërkohë që në Bruksel u mbajt takimi me emisarit të BE-së për Ballkanin Përendimor, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, për procesin e dialogut dhe “në veçanti çështjen e targave”.
“Ne kemi nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në terren. Çdo përshkallëzim apo dhunë është e papranueshme”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




