Kosova

Kurti: Kryetarët e komunave janë në zyrat e tyre, s’kanë pse largohen. Nuk bëj kompromis për republikën demokratike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të dielë(4 qershor) në një prononcim për një emision mëngjesi në BBC ka folur në lidhje me situatën në veri të vendit.

Kurti tha se kryetarët e komunave janë në godinat dhe zyrat e tyre dhe nuk do të largohen nga aty.

“Në këto tri komuna, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, i kemi tri ndërtesa, dhe nëse jo kryetarët, atëherë kush duhet të jetë në to? Nëse nuk janë për kryetarët, kujt i shërbejnë ato? Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kështu duhet të jetë. Ato ndërtesa janë asete të Republikës së Kosovës. Dikur kanë qenë struktura paralele të Serbisë, por ato janë struktura ilegale, të krijuara me fonde të Beogradit zyrtar, i cili dëshiron ta destabilizojë shtetin tonë, me idenë e Beogradit për të krijuar një botë të madhe serbe. Ne e kundërshtojmë diçka të tillë.

I pyetur nga gazetari nëse është i gatshëm për kompromis, Kurti tha se si fillim duhet të arrestohen bandat e dhunshme.

“Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë së Kosovës nga këto ndërtesa, por së pari bandat e dhunshme kriminale të cilat kanë sulmuar dhe plagosur gazetarët, policinë tonë dhe ushtarët e NATO-s, duhet të kthehen në Serbi ose në burg”, tha ai.

Kryeministri Kurti shtoi se nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike të Kosovës.

“Nuk mund të bëj kompromise për Republikën demokratike, duke qenë kryeministri i vendit më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me policinë më profesionale e cila është e orientuar dhe trajnuar nga Perëndimi. Presidenti Vuçiç është një autokrat që nuk i lejon serbët në Kosovë të kenë më shumë se një parti.

Serbët në Kosovë përbejnë 4% të popullatës ndërsa populli i Kosovës 93% , kemi edhe minoritete të tjera të neglizhuara nga komuniteti ndërkombëtar. Pra 4% e popullsisë serbe kanë drejtimin e 10 nga 38 komunave, kanë 10 vende të rezervuara në parlamentin e Kosovës dhe qeveria jonë e ka të detyrueshme që në kabinet të kemi një ministër serb. Unë e kam atë ministër, është Nenad Rasiç. Ai nuk është në partinë e Vuçiç dhe sot është personi më i urryer në Serbi”, tha ai.

Ndërsa në lidhje me mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme, Kurti u shpreh se është i gatshëm të dëgjojë propozimet për zgjedhje të parakohshme, por pasi të vendoset sundimi i ligjit në vend.

Sa i takon deklaratave të ashpra të SHBA dhe BE, Kurti theksoi se ata janë aleatë të pakontestueshëm të Kosovës.

“Ne i konsiderojmë SHBA-të, BE-në, Britaninë e Madhe, aleatë dhe miq të pakontestueshëm, dhe u jemi shumë mirënjohës për lirinë dhe pavarësinë tonë dhe për zhvillimin e demokracisë. Gjithsesi ne nuk mund t’ua dorëzojmë Republikën tonë, policisë fashiste e cila paguhet nga autokratët në Beograd, i cili dikur ka qenë ministër i propagandës së Millosheviçit”, tha ai.

Gjithashtu Kurti shtoi se Serbia nuk e distancon veten nga e kaluara e Milloshevçit, dhe as tani nuk e distancon veten nga e tashmja e Putinit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë