Kosova

Kurti kërkon marrëveshje ndërpartiake për të shmangur zgjedhjet e reja për presidentin

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se situata rreth zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit nuk “është e lehtë”, por theksoi se do të përpiqen me dy partitë e tjera të mëdha shqiptare që të shmangin zgjedhjet e reja.

Deputetëve u kanë mbetur edhe pak ditë që të zgjedhin presidentin e ri të vendit, në të kundërtën Kosova do të organizojë zgjedhje të reja në prill.

“Në vijim do të intensifikojmë bisedimet në mënyrë që ta kemi një zgjidhje për presdientin për shkak se përgjithsësisht përshtypja është që partitë konsiderojnë se pas katër palë zgjedhjeve – lokale dhe të përgjithshme – që i patëm nuk do të duhej që këtë vit, gjymsën e parë të tij të na i marrin zgjedhjet e reja. Me fjalë të tjera do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet për shkak të moszgjedhjes së presidentit”, tha Kurti.

Ai këto deklarata i bëri pas një takimi që zhvilloi me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kurti theksoi se as partia e tij, as LDK-ja dhe as Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë një kandidat të tyre për presidentin. I pyetur nëse e përkrah Vjosa Osmanin për rizgjedhje, Kurti u përgjigj:

“Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd për shkak se edhe në rast se i mbledhim nënshkrimet, po e theksoj, ne në rastin më të mirë teorik mund të mbërrijmë te numri 66 që është aq larg numrit 80. Prandaj, kot ne mund të nxjerrim kandidat, ndërkohë që dy subjektetet tjera thanë se nuk i kemi as 30 për nënshkrime sepse 30 është minimumi për propozimi”, tha Kurti, duke shtuar se do të ishte e “dëmshme” që tani LVV-ja të dalë me një kandidatë, pasi ka vetëm 66 vota.

Sipas tij, me votat aktuale që ka partia e tij dhe partnerët nga komunitetet joserbe, mund të mblidhen nënshkrime për dy kandidatë për president. Por, Kurti insistoi se për zgjedhjen e presidentit nuk duhet të synohet vetëm pragu i 80 votave, por deri në 85, në mënyrë që procesi të mos dështojë nëse ndonjë deputet mungon.

Kurti po ashtu konfirmoi se një natë më parë ishte takuar në Prekaz me Rifat Jasharin, me të cilin tha se bisedoi për zhvillimet politike dhe shumë çështje të tjera.

“Mirëpo, zgjidhja është mes tri subjekteve politike”, vazhdoi ai.

Në të kaluarën janë përmendur emra nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, si kandidatë të mundshëm për president, por propozimet nuk janë jetësuar asnjëherë.

Megjithatë, Kurti tha se e bën optimist konstruktiviteti i takime për arritjen e një marrëveshjeje me partitë e tjera për çështjen e presidentit.

“Nuk shoh zell për zgjedhje të reja dhe kjo është gjithashtu një e përbashkët që kemi. Këto elemente më bëjnë optimist”, tha ai për mediat.

Abdixhiku: Ose marrëveshje politike ose konsensus për çështjen e presidentit

Ndërkaq, pas takimit me Kurtin, kreu i LDK-së tha për gazetarët se nevojitet konsensus politik apo marrëveshje mes partive për emrin.

“Dakordimi i përgjithshëm është se janë vetëm dy rrugë përpara. E para është që ose duhet konsensus politik mes faktorëve të vendit dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në këto nëntë ditët e ardhshme ose duhet një marrëveshje klasike politike, mes partive për çështjen e presidentit. Dhe, në të dyja rastet duhet së paku dy të tretat e votave të deputetëve. Mbeti që të takohemi në ditët në vijim për të parë se cili nga këto mundësi që kemi përpara”, tha ai.

I pyetur nëse është diskutuar për emra konkretë që do të mund të zgjidheshin president, përfshirë emrin e presidentes aktuale, Abdixhiku tha se fillimisht është procesi i arritjes së një konsensusi e më pas vijnë emrat.

“Nuk kemi folur për emra. Fillimisht duhet të zgjedhim rrugën, ose marrëveshje politike ku partitë bëhen bashkë dhe përcaktojnë presidentin e arhshëm ose konsensusi, ku shikohet një kandidatur përtej marrëveshjes politike. më pas vijnë emrat”, tha ai.

I pyetur nëse një marrëveshje politike për çështjen e presidentit do të nënkuptonte edhe përfshirjen e partisë së tij në Qeveri, Abdixhiku tha se gjithçka është e hapur brenda një ujdie të tillë”.

“Marrëveshja politike nënkupton dakordim për çështjen e presidentit. Në këtë fazë nuk besoj që kemi interes dhe nuk ka interes në atë drejtim, por gjithçka e hapur brenda marrëveshjes politike. Por, edhe konsensusi është i natyrshëm. Çfarëdo zgjidhje që sjellë në dy të tretat e votave të Kuvendit”, u shpreh ai.

Abdixhiku ka deklaruar disa herë nëpër studiot televizive në Kosovë se duhet arritur marrëveshje në mënyrë që partia të cilën ai e udhëheq, LDK-ja, të jetë në sallë kur të votohet për këtë çështje.

Kjo parti ia pati bërë kuorumin presidentes aktuale, Vjosa Osmani kur e ka fituar mandatin e parë, në prill të vitit 2021.

Osmanit i skadon mandati 4 prill dhe afati i fundit për votimin e figurës që do ta ketë mandatin e ri është 4 marsi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë