Kosova

Kurti: Kemi marrëdhënie shumë të mira me RMV-në. Mickovski: Nëse punojmë bashkë do të jemi më të fuqishëm

Nga Gazeta 'Si'-Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje, por komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të një takimi të përbashkët të qeverive të dy vendeve fqinje të hënën në Prishtinë.

Ai tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar 50 marrëveshje deri më tani, por “ajo që duhet të bërë tash është zbatimi i marrëveshjeve”, tha Kurti në fillim të takimit ndërqeveritar në Prishtinë.

Ai njoftoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut do t’i nënshkruajnë dy memorandume dhe një protokoll në fushat e energjisë, arsimit dhe lehtësimit të lëvizjes së lirë, të cilat do të zbatohet nga janari 2025.

“Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona pasqyrohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë, e cila arriti në 432 milionë euro në vitin 2023, një rritje e jashtëzakonshme prej 52 për qind, krahasuar me vitin 2019, ku qëndronte 284 milionë euro”, tha Kurti.

Ai tha se ka pasur rritje të eksportit nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, nga 48 milionë në vitin 2019, në 121 milionë në vitin 2023.

“Në Maqedoninë e Veriut e shohim një vend mik, me të cilin jemi të lidhur jo vetëm përmes gjeografisë por edhe nga vlerat e përbashkëta dhe nga njerëzit tanë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet t’i shohim si vlera e shtuar, si ura të bashkëpunimit më të ngushtë dhe më të fuqishëm mes vendeve tona”, theksoi ai.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski u shpreh i lumtur për pritjen që i bëri homologu i tij, Albin Kurti.

Ai tha se shpreson se “energjia dhe koha e bukur sot”, do të jetë një impuls i ri për marrëdhënie akoma më të mira mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“I dashur, Albin. Faleminderit për pritjen e shkëlqyer, energjinë dhe atmosferën që na e mundësuat sot këtu në Prishtinë. Shpresoj se kjo energji e bukur dhe koha e bukur do të jenë impulse të reja për marrëdhënie akoma më të mira midis të dyja vendeve. Shpesh herë takohemi jashtë shteteve tona dhe bisedojmë për gjendjen në vendet tona. Jemi të vetëdijshëm për sfidat, çdo herë konkludojmë se nëse punojmë bashkë do të jemi më të fuqishëm”, tha ai.

Mickovski tha se bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë mld euro tregti midis të dyja vendeve.

“Gjatë takimit bilateral përcaktuam një qëllim këtë vit, bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis dy vendeve tona, në vitet që pasojnë bashkëpunimi ekonomik do të jetë akoma më i madh, jam i bindur se do ia dalim.

Takimi ndërqeveritar është provë dhe dëshmi se të dyja qeveritë tregojnë se bashkëpunojnë dhe kemi marrëdhënie miqësore dhe të afërta të cilat do t’i avancojmë. Kemi marrëveshje në pjesën e energjetikës, e po ashtu edhe të rregullimit të kalimeve ndërkufitare që qytetarët që hynë dhe dalin nga vendet tona do të ndalen në një pikë kalimi dhe jo në dy, dhe në këtë mënyrë të mos ketë rrëmujë nëpër kufi.

Të kemi një pikë kufitare dhe të përshpejtohet transferi i udhëtarëve”, vuri në dukje ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë