Kosova

Kurti: Jemi gati t’ia zgjasim dorën Serbisë, nëse ata janë gati t’i çlirojnë grushtet e tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Forumin e Paqes në Paris tha se Kosova dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por shtoi se dialogu mes dy vendeve “është dialog për statusin e marrëdhënieve, jo për statusin e Kosovës”

Forumi i Paqes, që nisi të premten, grumbulloi në Paris liderë botërorë, përfshirë këtu ata të Kosovës: kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani dhe homologët e tyre Ana Bërnabiç dhe Aleksandar Vuçiç.

Para nisjes së këtij Forumi, Kurti u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, ku u tha se u diskutua për dinamizmin e dialogut Kosovë – Serbi, gjendjen në veri dhe planin franko-gjerman.

Në fjalimin e tij gjatë Forumit të Paqes, Kurti përsëriti qëndrimin se marrëveshja përfundimtare në këtë dialog duhet të përfshijë njohjen reciproke.

“Kosova kërkon marrëdhënie të mira me Serbinë fqinje dhe jemi gati të zgjasim dorën për një vend që ka kryer gjenocid ndaj vendit tonë, nëse ata janë gati t’i çlirojnë grushtet e tyre, ajo që nuk ofrojmë më janë koncesione për të ndarë vendin në vija etnike, BE-ja po përpiqet shumë që të ndërmjetësoë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të normalizojmë marrëdhëniet, Kosova është vend normal, por më duhet ta pranoj që marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale, duhet t’i normalizojmë, dhe dialogu është dialog për statusin e marrëdhënieve, por jo për statusin e Kosovës, pra bëhet fjalë për normalizim”, tha Kurti.

“Normalizimi nënkupton një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër. Nuk po them që në marrëveshje nuk do të ketë edhe shumë gjëra të tjera, por në qendër duhet të jetë njohja reciproke”, vijoi ai.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, tha të premten se për Serbinë është i papranueshëm çfarëdo propozimi që përfshin njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij në Forumin e Paqes, Kurti tha se këto vende duhet ta ndryshojnë qëndrimin e tyre që “ta ndihmojnë Serbinë ta njohë Kosovën më shpejt duke e njohur vetë së pari”.

Ai shtoi se Kosova nuk do të bëjë “koncesione të tjera të dizajnuara për ta ndarë vendin tonë në linja etnike dhe fetare”.

Më 10 nëntor, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përsëriti kërkesën e perëndimit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kurti ka deklaruar disa herë se është kundër formimit të ndonjë asociacioni njëetnik.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Kurti tha se që kur dialogu kishte filluar në vitin 2011, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë përmirësuar për shkak se “Serbia ka dështuar në demokratizimin dhe ende kërkon konflikt e jo bashkëpunim”.

Ai shtoi se paqja dhe siguria në Europë nuk po rrezikohet vetëm nga Rusia, por edhe nga Serbia, teksa theksoi se Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.

“Frikësohem se Serbia sot nuk është as demokratike, as e pavarur. Është një regjim i udhëzuar nga Kisha Ortodokse dhe dominohet nga Rusia e Putinit”, tha Kurti.

Gjatë qëndrimit të tij në Paris, Kurti u takua të enjten edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, së bashku me presidenten Osmani. (REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë