Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, për të cilën Kosova dhe Serbia ranë dakord më 4 prill, përmendet termi “të zhdukur me dhunë”.
“Formulimi i saktë në anglisht është ‘forcibly disappeared’, pra do të thotë ata që janë të zhdukur me dhunë dhe kështu është termi i cili është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Pra edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet ‘persona të pagjetur’, ‘të zhdukur’, ‘që mungojnë’, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë”, tha ai.
Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka konfirmuar se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, kanë arritur dakordësi më 4 prill për deklaratën për persona të pagjetur, por nuk ka sqaruar nëse aty përmendet termi “të zhdukur me dhunë”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, pas takimit në Bruksel me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, deklaroi se ky term nuk është pranuar nga pala serbe.
“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termat dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”, tha ai.
Në prill të vitit 2022, Bashkimi Evropian ka thënë se palët janë “shumë afër” një marrëveshjeje për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe se krejt çfarë ka mbetur për t’u bërë, është “harmonizimi i dy fjalëve”.
Termi “me dhunë” për zhdukjen e personave gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99, në të cilin ka insistuar pala e Kosovës dhe është refuzuar nga Serbia, ka bllokuar deri më tani arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet palëve.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000.
Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1.600 persona.
Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




