Kosova

Kurti i propozon Osmanit që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 2 shkurt

Nga Gazeta 'Si'- Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 2 shkurt të vitit të ardhshëm.

Gjatë së enjtes(15 gusht), presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka dërguar në Presidencë propozimin e tyre rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve.

Osmani, përveç konfirmimit, nuk dha asnjë detaj shtesë dhe nuk bëri publike asnjë datë por burime për mediat në Kosovë deklarojnë se kryeministri Albin Kurti ka propozuar 2 shkurtin.

2 shkurti është propozuar vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në takimin konsultativ që kishin mbajtur me presidenten Osmani, kishin propozuar datën 26 janar për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit që pati me liderët e subjekteve politike kishte pohuar se janë brenda afatit të konsultimeve dhe se ligji parashikon katër data të mundshme për zgjedhjet: 26 janar, 2 shkurt, 9 shkurt dhe 16 shkurt, pasi zgjedhjet mbahen vetëm të dielave.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK-ja, e treta LDK-ja, kurse e katërta AAK-ja


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë