Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur deklaratës së shefit për politikë të jashtme të BE-së Josep Borrell.
Më herët ky i fundit tha se ndihej i alarmuar për arrestimet e serbëve në veri dhe për marshimin e ushtrisë në Mitrovicën e Jugut, ndërsa Kurti shprehet se ky është dezinformim i rrezikshëm dhe i papranueshëm.
"Stërvitjet e sotme nga Regjimenti i III i FSK të Kosovës në Mitrovicën e Jugut janë një aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar. Ai përbëhej nga 215 ushtarë që shkonin nga garnizoni “Minatori” në Frashër dhe ktheheshin. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm.Bazuar në provat e shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor, Policia ka arrestuar një person në Mitrovicë për sulmin ndaj KFOR në Zveçan më 29 maj. Si kryeministër i një shteti demokratik nuk kam asnjë përfshirje në hetimet dhe arrestimet.Përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme vetëm ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t’i përshkallëzojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutemi konfirmoni burimet tuaja dhe prisni informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve”, shkruan në Twitter Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.