Shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar të martën takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Bruksel.
Takimet vijnë në një moment të tensionuar për rajonin, ndërsa dialogu ndërmjet dy vendeve mbetet i komplikuar.
Pas takimit, Kurti shprehu optimizëm për angazhimin e Kallas.
“Nga liderët që ka Evropa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë shumë sa i përket vlerave evropiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, presidenti Vuçiç e përshkroi bisedën me Kallas si “të hapur dhe të vështirë”.
Ai theksoi se diskutuan për dialogun me Kosovën, çështjen e Banjskës dhe sanksionet ndaj Rusisë.
“Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, shkroi Vuçiç në Instagram.
Takimet vijnë vetëm disa ditë pas një shpërthimi në Zubin Potok, për të cilin Kosova fajëson Serbinë.
BE e ka cilësuar incidentin e 29 nëntorit si një “akt terrorist” dhe “sabotim të infrastrukturës kritike të Kosovës”.
Tensionet mbeten të larta që nga sulmi i armatosur në Banjskë, ku humbi jetën një polic kosovar. Për këtë ngjarje, Millan Radoiçiç ka marrë përgjegjësinë, por Serbia ende nuk ka marrë vendim për aktakuzën e mundshme ndaj tij.
BE dhe SHBA kanë bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë./ZËRI/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.