Kosova

Kurti: I kemi votat për Osmanin presidente, seanca sapo të zëvendësohen deputetët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se seanca për zgjedhjen e presidentit të ri do të thirret pas zëvendësimit të të gjithë deputetëve të cilët u emëruan në poste qeveritare.

Duke folur para mediave, Kurti u shpreh i bindur se do t’i kenë votat e mjaftueshme në Kuvend për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes.

Kurti tha se për këtë pozitë, Osmanin e ka legjitimuar populli duke ia dhënë më shumë se 300 mijë vota në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Besoj se porsa të bëhet zëvendësimi i deputetëve që u bënë ministra ose zëvendëskryeministra dhe iu bashkuan kabinetit qeveritar, do të mund të thërrasim një seancë të radhës në të cilën padyshim e sigurt, atë që e votoi populli me mbi 300 mijë vota do të mund ta legjitimojmë edhe me të gjitha votat e nevojshme në mbledhjen e Kuvendit të Republikës”, tha Kurti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë një mbledhje gjatë së mërkurës në të cilën do të vendosë për zëvendësimin e deputetëve të cilët u emëruan në pozita ekzekutive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë