Kosova

Kurti: Heqja e barrikadave mund të çojë në viktima

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa ka thënë se barrikadat në veri nuk mund të tolerohen edhe shumë gjatë, ka shtuar se “heqja e tyre nuk mund të përjashtojë viktimat”.

“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative”, citohet të ketë thënë Kurti për The Guardian.

“Megjithatë, këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk mund ta lejojmë përjetë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, ka thënë më tej Kurti.

Kurti nënvizoi se është i shqetësuar për tensionet dhe mundësitë e përshkallëzimit të tyre, gjë e cila shkon në avantazh të Vladimir Putinit, pasi ky i fundit po kërkon të heqë vëmendjen nga lufta e dështuar në Ukrainë. Kryeministri i Kosovës shton se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës pajtohen që barrikadat duhet të hiqen, por i druhen faktit se ky zhvillim mund të keqpërdoret nga Beogradi.

“Mendoj se shqetësimi madhor i tyre është pikërisht ky: tani që Rusia është dëmtuar rëndë në Ukrainë pas nisjes së pushtimit dhe agresionit, kanë interes që të zhvendosin vëmendjen. Ata kanë interes që të transferojnë përpjekjet e tyre luftënxitëse në Ballkan, ku kanë një klient që është Beogradi”, shpjegoi Kurti.

Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, edhe njëmbëdhjetë ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiç.

Që nga e shtuna e 10 dhjetorit kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë aty përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që ato të hiqen.

Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, ndërsa në javën që shkoi u njoftua edhe për barrikada të tjera të vendosura nga serbët lokalë, nëntë në total.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë