Kosova

Kurti: Gjermania e Franca të jenë pjesë e dialogut. Do ta ndihmojnë marrëveshjen finale

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është shprehur se përfshirja e Gjermanisë dhe Francës në dialogun me Serbinë është shumë e rëndësishme për Kosovën.

Duke komentuar vizitën e ndërmjetësuesit të dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe dy këshilltarëve të jashtëm të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, ai shtoi se pret mbështetjen e tyre.

Madje, sipas tij, këto dy shtete të fuqishme do ta ndihmojnë ndërmjetësimin e Brukselit për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që e ka në qendër njohjen reciproke.

“Kosova e kupton rëndësinë e integrimit europian në zemrës të të cilit për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi e për neve në veçanti ndodhen Gjermani e Franca.

Andaj ne e mbështesim fatin që dy shtete kaq të rëndësishme, njohëse të Kosovës, do ta ndihmojnë ndërmjetësimin e Brukselit për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që e ka në qendër njohjen reciproke”.

Reciprociteti, tha ai, po zbatohet në të gjitha pikat kufitare Kosovë-Serbi.

“Në pika kufitare po vlen reciprociteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ne kemi insistuar për liri të lëvizjes dhe ajo do të nënkuptojë të plotë, ngase liria e cunguar nuk është liri. Dhe këtë gjë zv.kryeministri është duke e negociaor edhe me ndërmjetësit. Pika kufitare me Serbinë, ajo vlen”.

Në fundjavë u bënë publike dy letra të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, në të cilat u bëhej thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçic për normalizim sa më të shpejtë të marrëdhënieve mes dy vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë