Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për takimin që kishte me shefin Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, gjatë javës së kaluar.
Kurti është shprehur se takimi ishte shumë i mirë, dhe se kjo është një dëshmi tjetër e përkujdesit dhe përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj sigurisë në Kosovë.
“Takimi ka shkuar shumë mirë dhe natyrisht që ne kemi bashkëpunim me ShBA-të dhe këtë institucion të rëndësishëm të inteligjencës dhe sigurisë përmes Agjencisë tonë të Inteligjencës.
Unë e falënderoj shefin e CIA-s që vizitoi vendin tonë, dhe kjo është dëshmi tjetër e përkujdesit dhe përkushtimit të SHBA-ve për sigurinë dhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për republikën tonë në kuadër të marrëdhënieve bilaterale me ShBA-të dhe të paqes dhe stabilitetit dhe sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Kurti.
Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, qëndroi për vizitë dyditore në Kosovë. Ai zhvilloi takime me krerët shtetërorë dhe udhëheqësin e inteligjencës kosovare.
Mëngjesin e 23 gushtit, për rreth një orë ai mbajti takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës e vlerësoi vizitën e shefit të CIA-s në Prishtinë si “moment të rëndësishëm historik” në raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.