Kosova

Kurti e Vuçiç në takim urgjent në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç po takohen ne Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian i cili ftoi takimin emergjente për të diskutuar për tensionet ndërmjet të dy vendeve rreth situatës në veriun e Kosovës.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell tha se duhet ulur tensionet dhe “të ndalojmë së shkojmë nëpër menaxhimin e përhershëm të krizave dhe në vend të kësaj të fillojmë të ecim drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

Ai takoi ndarazi mëngjesin e së hënës të dy udhëheqësit para se të fillonte takimi trepalësh.

Takimi ndodh në ditën kur ishte paraparë të fillojë faza e dytë e zbatimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia që duhet të përfundojë në prill të vitit të ardhshëm.

Nga e hëna sipas vendimit pritej të fillojë gjobitja e atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave. Vendimi kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët në veriun e Kosovës të cilët kanë paralajmëruar rezistencë ndaj zbatimit të tij.

Të dielën pasdite policia e Kosovës tha se edhe nesër do të vazhdojë me paralajmërimet ndërsa nga e marta 22 nëntor do të fillojë shqiptimi i gjobave.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur shpresën për një zgjidhje praktike të çështjes së targave për të shmangur tensionet në veri ku nuk ka më pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serb e as punonjës të institucioneve tjera, pas vendimit të përfaqësuesve serbë të mbështetur nga Beogradi për të braktisur institucionet e Kosovës në veri.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar situatën në veriun e Kosovës më të rrezikshmen që nga viti 2013.

Tensionet ne zonë që pasuan vendimin e qeverisë për targat i cili u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje dhjetë muajshe, u shtuan në një periudhë diskutimesh për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se të dyja palët nuk e kanë refuzuar propozimin i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet në Kosovë thonë se propozimi është një bazë e vlefshme për diskutime të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërsa presidenti serb tha sot se Serbia as nuk e ka pranuar as nuk e ka kundërshtuar propozimin por është e gatshme për bisedime rreth tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë