Kosova

Kurti: Do bëjmë ligj për pagat, ato nuk mund të rriten me premtime elektorale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media foli për hartimin e një ligji të ri që do të ketë në qendër pagat.

Kurti nuk dha sinjale për rritje të tyre, por premtoi se do të përgatitet një ligj, i cili nuk do të bjerë ndesh me infrastrukturën ligjore, as me Kushtetutën e Kosovës, shkruan Zeri.info.

Ai tha se Qeveritë e kaluara kanë premtuar rritje pagash, por sipas tij këto premtime kanë qenë premtime elektorale dhe si të tilla janë përmbushur pjesërisht ose aspak.

“Nuk është e kollajshme të hartohet, përpilohet mirë dhe shpejt një projektligj i tillë, tashmë jemi duke u angazhuar për këtë gjë. Përgjithësisht është besimi ynë se në një shtet rritja e pagave kurrsesi nuk duhet të ndjekë arbitraritete politike të qeverive aktuale, por produktivitetin brenda rritjes ekonomike”.

Kryeministri Kurti theksoi se në një shtet e në një shoqëri pagat rriten duke ndjekur rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike.

“Qeveritë e mëhershme i kanë rritur pagat me premtime elektorale, që mandej i kanë përmbushur pjesërisht ose aspak. Mirëpo ekonomia nuk funksionon ashtu, mund të funksionojnë dëshirat për pushtet, por ekonomia nuk funksionon me fushata elektorale, siç është bërë në të kaluarën. Rritja e pagave do ta ndjekë rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike”, tha Kurti.

Kurti mbajti një konferencë të përbashkët me ministrin e Bujqësisë Faton Pecin, ku njoftuan rreth rritjes së subvencioneve për prodhuesit vendorë.

Kryeministri u përgjigj edhe rreth ndalimit të boksierëve kosovarë në kufi nga shteti Serb, ku tha se këtë çështje do ta adresojë në Bruksel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë