Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, për dialogun me Serbinë dhe zgjedhjet lokale të mbajtura në veri.
Mësohet se në fokus të Kurtit ka qenë zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes së Brukselit të arritur më 18 mars ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE.
“Ata biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve. Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur”, thuhet në njoftim.
Të enjten(18 maj)Chollet dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të raportojnë para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, lidhur me politikat amerikane kundrejt Ballkanit Perëndimor.
Një ditë më parë, të mërkurën, Chollet ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Ai është cituar t’i ketë thënë Vuçiçit se është e nevojshme që të shmangen provokimet dhe konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Presidencës serbe, zyrtari i lartë amerikan ka thënë se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë të punojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe sërish ka dhënë mbështetjen e SHBA-së për procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




