Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohen sërish në Bruksel për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ky do të jetë takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiçit. Takimi i parë mes tyre u zhvillua më 15 qershor, kur procesi i dialogut, i cili u ndërpre në shtator të vitit 2020, rifilloi zyrtarisht.
Takimi i parë tregoi se palët kishin dallime të mëdha, megjithatë të dy zyrtarët u pajtuan që të vazhdojnë takimet.
Megjithatë, takimi me kryeministrin e Kosovës, nuk cilësohet si një zhvillim pozitiv nga presidenti serb.
Përmes një deklarate të publikuar në Instagram, ai shkruan se asnjëherë nuk është veçanërisht e këndshme të udhëtosh, apo të qëndrosh në Bruksel, kur je duke biseduar me përfaqësuesit e Kosovës.
“Megjithatë për Serbinë është e rëndësishme për shkak se përmes këtyre bisedimeve ne ndihmojmë popullin tonë, ruajmë paqen dhe stabilitetin të cilët janë qenësor për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë në gjithë Serbinë” ka shkruar Vuçic. “Po përgatitem për takime të vështira. Dorëzimi nuk është një opsion!” ka shkruar mes tjerash presidenti serb.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, thotë se bisedimet midis Kurtit dhe Vuçiçit do të përqendrohen në përparimin e arritur si dhe për hapat e mëtejmë në procesin e dialogut.
Beogradi zyrtar insiston që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi. Kosova ka përmendur marrëveshjen për kontrollin e kufirit, atë për njohjen e diplomave, për certifikatat e mallrave, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën.
Presidenti i Serbisë tha javën e kaluar se delegacioni serb po shkon në këtë takim në Bruksel me “besimin më të madh” , por shtoi se nuk ishte i sigurt nëse përparimi është i mundur.
Ky do të jetë takimi i fundit i nivelit të lartë në kuadër të dialogut për pjesën e parë të këtij viti, pasi në institucionet evropiane zyrtarisht nis sezoni i pushimeve verore. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në mars të vitit 2011, fillimisht në nivel teknik.
Në tetor të vitit 2012, ky proces kaloi nga niveli teknik në atë politik, kur kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç nisën negociatat.
Në prill të vitit 2013, palët arritën Marrëveshjen e Brukselit, por shumica e marrëveshjeve që janë pjesë e saj, ende nuk janë zbatuar. Kosova heziton që ta zbatojë Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit pasi kjo marrëveshje u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




