Kosova

Kurti dhe veteranët nuk bien dakord, do të vazhdojnë protestat

Ka përfunduar takimi i përfaqësuesve të veteranëve të UÇK-së me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pavarësisht se takimi ka zgjatur më shumë se dy orë, veteranët nuk kanë arritur të pajtohen me Kurtin në kërkesat e tyre.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë pas takimit se janë diskutuar shumë çështje por nuk është arritur dakordim.

“Edhe ditën që do ta vazhdojnë seancën i treguam se do vazhdojmë me protesta”, ka thënë Klinaku.

Ndërsa Xhavit Jashari nga OVL e UÇK-së tha se nuk kishte gatishmëri nga ana e kryeministrit që të reflektojë.

“Ne e presim edhe përgjigjen me shkrim e propozimet, po ishim aty për t’i thënë sy më sy se keni bërë shkelje ligjore. Nuk kemi problem me Policinë e Kosovës, nuk kemi probleme me objektet se janë tonat, por kemi problem me ata që nuk respektojnë ligjet, me ata që janë në këto institucione. Nuk kishte gatishmëri që të reflektojë në këtë drejtim”, ka thënë Jashari.

Sipas përfaqësuesve, është diskutuar edhe për listat e veteranëve që Kurti pretendon se janë të fryra, por ata kanë thënë se për këtë çështje duhet që të flasë gjykata.

Takimi i Kurtit me kategoritë e dala nga lufta erdhi një ditë pasi këta të fundit protestuan në shenjë pakënaqësie me ndarjen e tyre nga paga minimale me ligjin e ri të sjellë në Kuvend.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan dje(16 qershor) në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj miratimit në parim të Projektligjit për pagën minimale në Kuvend,që nuk përfshin rritjen e pensioneve edhe për veteranët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë