Kosova

Kurti dhe Osmani takohen sot me Blinken

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kyeministri Albin Kurti do të priten sot (26 korrik) në takim nga skretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Përmes një njoftimi për media nga Presidenca mësohet se në fokus të diskutimeve do të jetë thellimi i partneritetit bilateral Kosovë – SHBA në nivel strategjik, angazhimi i përbashkët në drejtim të adresimit të sfidave ndaj paqes dhe sigurisë në rajon dhe Europë, si dhe mbështetja për Kosovën në sektorët strategjikë.

“Takimi me sekretarin e Shtetit,Blinken, do të mbahet në një periudhë përcaktuese për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë, si dhe për kontinentin europian e më gjerë si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë”, thotë Presidenca.

Më tej thuhet se në takim presidentja Osmani do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Ajo do ta informojë sekretarin Blinken edhe për hapat të cilat i ka ndërmarrë Kosova në avancimin e rrugëtimit euroatlantik, si dhe për angazhimin aktiv të institucioneve të Kosovës në drejtim të zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit.

Me qëllim të hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit nën kornizën e partneritetit bilateral strategjik, do të diskutohet edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, si dhe fusha të tjera të rëndësisë së veçantë.

Takimi do të mbahet sot në Departamentin Amerikan të Shtetit, në orën 16:30, sipas orës lokale në Washington D.C., respektivisht në orën 22:30, sipas kohës së Kosovës”, thuhet në njoftim. 

Osmani dhe Kurti ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi dje morën pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë