Kosova

Kurti dhe Osmani pas takimit me Stuart Peach: Britania ndër aleatët kryesorë të Kosovës

Gazeta Si – Kryeministri Albin Kurti bashkë me Presidenten Vjosa Osmani dhe emisari i Britanisë për Ballkanin Perëndimor janë takuar dhe kanë diskutuar për një sërë çështjesh. Kurti falënderoi Sir Stuart Peach për ndihmën dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe shpalljes së pavarësisë.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se ai theksoi përkushtimin për ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar duke vënë theksin tek diaspora, si urë lidhëse për të thelluar bashkëpunimin në sferën e investimeve po ashtu edhe në atë të bashkëpunimit kulturor e njerëzor.

“E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Europian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin”, theksoi Kurti.

Emisari Peach vlerësoi lart marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.

Kurti e informoi emisarin edhe për dialogun.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel. Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët”, tha kryeministri Kurti. Ai ritheksoi që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara.

Marrë për bazë përvojën e gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, emisari Peach shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të ndihmuar në procesin e dialogut.

Vjosa Osmani e ka përgëzuar Sir Stuart Peach për detyrën dhe për rolin aktiv të shtetit të tij në rajonin e Ballkanit.

Sipas saj, sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët e Kosovës.

Presidentja Osmani ka përgëzuar edhe Ambasadën Britanike në Kosovë, e cila sipas saj po bën punë të çmuar në mbështetjen e projekteve, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe viktimat e dhunës seksuale.

“Duke folur për zhvillimet aktuale politike, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës pas takimit.

Sipas presidentes Osmani, dialogu duhet t’i trajtojë palët në mënyrë të barabartë. Ajo ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara. Në këtë kontekst ka përmendur edhe ndikimin negativ të Rusisë në rajon si një tendencë e hapur për destabilizimin e rajonit.

Presidentja Osmani në takim me emisarin Peach ka theksuar se shteti i Kosovës është i përkushtuar për ta rritur bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, sidomos në çështjet ekonomike dhe ato të mbrojtjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë