Pas certifikimit të rezultateve e zgjedhore, Albin Kurti ka nisur zyrtarisht sot bisedimet me partitë e tjera për formimin e qeverisë së re së Kosovës. Kryeministri i ardhshëm i Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani i nisën takimet me krerët e partive politike me drejtuesin e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajt, në orën 11:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK e ka cilësuar takimin me kandidatin për kryeministër dhe Osmanin, i cili zgjati për më shumë se një orë, jo vetëm konstruktiv, por edhe historik.
“Ne kemi nevojë për liderë institucionale që e bashkojnë skenën politike”, ka thënë Hoxhaj. Ai thotë se ky takim ishte i pari mes pozitës së ardhshme dhe opozitës për formimin e institucioneve, duke theksuar se foli gjatë me Kurtin e Osmanin për zgjedhjen e Presidentit.
“Para se të shkojë në një qasje më specifike për çfarë kemi diskutuar, më lejoni të ju kujtojë se pas 10 vitesh, ky është takimi i parë që ndodh mes qeverisë së ardhshme dhe opozitës dhe kjo ndodh falë kulturës politike të PDK-së dhe qasjes sonë që përmes dialogut do të mund të japim secili prej nesh kontributin tonë për krijimin e institucioneve të reja”, ka thënë Hoxhaj.
“Për herë të parë, qeveria dhe opozita janë takuar për të biseduar për procesin e formimit të institucioneve dhe me konkretisht zgjedhjes së presidentit”, shton ai, duke kujtuar se kjo ka ndodhur vetëm kur PDK-ja ishte në pushtet dhe e kishte takuar shefin e atëhershëm të opozitës, Isa Mustafa, për ta zgjedhur Atifete Jahjagën presidente.
Pas Hoxhajt, Kurti dhe Osmani do të takohen edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Takimi mes Osmanit, Kurtit dhe Haradinajt, i cili ka qenë i pari që ka shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar qeverisë “Kurti II” është planifikuar për orën 13:30. Megjithatë, bisedimet mes palëve ka të ngjarë të mos jenë të lehta, pasi Osmani dhe Haradinaj kandiduan të dy në këto zgjedhje për postin e presidentit.
Kurti i ka dërguar një ftesë edhe kryetarit të ri sapo zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, por mësohet se ky i fundit i ka kërkuar që takimi të mbahet të premten e kësaj jave.
Abdixhiku ka hyrë për të parë sot në zyrat e LDK-së, si kryetar i kësaj partie.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 vende në legjislaturën e re, por i duhet të paktën edhe tre deputetë për formimin e qeverisë, e cila duhet të votohet nga 61 deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 vende në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë deputetë.
Kurti ka thënë se do ta formojë qeverinë me disa parti të komuniteteve jo serbe, më të cilat ka planifikuar po ashtu takime në ditët e ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




