Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë pre e dy komedianëve rusë të njohur si Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë.
Siç dëgjohet duke folur në videon e publikuar nga komedianët rusë, Kurti flet për mediat e opozitën, duke pretenduar se ka pasur luftë hibride ndaj qeverisë së tij.
“Ka pasur luftë hibride kundër qeverisë tonë që herët…kryesisht vjen nga Serbia dhe Rusia, por edhe nga disa elementë të tyre brenda Kosove. Prandaj lufta hibride dhe dezinformtat, e dyta ishte premtimet irracionale të opozitës të cilët flirtonin me luftën hibride. Dhe e treta disa oligarkë në vend, në veçanti njëri, që ka një stacion”, dëgjohet të thotë Kurti.
Our Video-prank with Prime-Minister of Kosovo Albin Kurti.
— Пранкер Вован (@evilprank) March 26, 2025
(Russian pranksters Vovan and Lexus called Kurti on behalf of the President of Latvia):https://t.co/GI33uKQsFw
Ai flet edhe për emisarin Richard Grenell, për të cilin në fund dëgjohet duke thënë se “ai është homoseksual”.
“Tërë këto katër vite kundër meje. Ai ishte instrumental në rrëzimin e qeverisë time të parë, në 2020, e vetmja qeveri e ime u rrëzua gjatë pandemisë. Dhe tani në masë të madhe është rreshtuar me opozitën. Ai ka marrë një çmim të lartë në Beograd, të klasit të parë, nuk është në rregull të marrësh çmim të atij soji në një vend autoritar dhe të pretendosh të jesh neutral. Tani ka një punë të re, Instituti Kenedi, ku ka të bëjë me vlerat e ShBA-së… Ai është homoseksual vetë”, thotë Kurti.
Këtu, komedianët i thonë: “A e di që edhe unë jam homoseksual?”
“Jo se di”, përgjigjet Kurti.
Ndërkohë, lidhur me këtë ka ardhur edhe një reagim nga qeveria e Kosovës, e cila e cilëson si një incident fatkeq.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë, publikoi një deklaratë në “X” në gjuhën angleze – ku thuhet se për shkak të thirrjeve të shumta uruese për zgjedhjet e 9 shkurtit, s’kanë mundur ta verifikojnë telefonatën.

“Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private”, thekson njoftimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.