Kosova

Kurti: Asociacioni, e vetmja marrëveshje e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth takimit që ka zhvilluar mbrëmë(25 janar) me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe theksoi se plani franko-gjerman, duhet të ketë njohjen reciproke në qendër.

“Marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti, teksa ka folur edhe për marrëveshjet e arritura ndër vite me Serbinë.

Për marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, ai tha se është e vetmja marrëveshje që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Këtë deklarim e bëri pasi u pyet nëse ka presion të madh nga ndërkombëtarët për formimin e Asociacionit. Kurti u shpreh se ka insistim nga faktorët ndërkombëtarë që kjo marrëveshje të theksohet edhe më shumë, por sipas tij, ajo tashmë është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues.

“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni ashtu siç është nënshkruar më 19 prill 2013 e pastaj i elaboruar në shtatë kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit 2015, të theksohet më shumë.

Por, ajo marrëveshje është tashmë e theksuar sepse është e vetmja marrëveshje e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, është marrëveshje njëmend e theksuar në kuptimin juridik dhe kushtetues. Tash procesi negociator do të duhej që të na shpjerë përpara”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë