Kosova

Kurti: Afati për targat 48 orë, Borrell të ndryshojë qëndrim!

Kryeministri Albin Kurti kërkon që zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Josep Borell, të ndryshojë qëndrim dhe të mos i braktisë negociatat për korrigjimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe të mos fokusohet vetëm të çështja e targave.

Sipas tij, zgjidhja nuk është vetëm ajo për targat, duke shtuar se gjatë takimit të së hënës ai ishte dakord që gjobitja lidhur me targat të pezullohej në kërkim të një zgjidhjeje për normalizim të plotë të marrëdhënieve.

Albin Kurti. Gazeta Si, 22 nentor 2022

“Që prej se përfundoi takimi i fundit në kuadër të bisedimeve tetorëshe që kemi pasur dje unë nuk kam komunikuar më Josep Borrell, i cili me keqardhje ritheksoj, e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e BE-së, duke thënë le ta kemi një dakordim për targat.

Nuk mjafton dakordimi për target, ndonëse aty unë kam qen më dakord që faza e dytë të pezullohet, në kërkim të një zgjidhjeje sa i përket normalizimit të plotë të marrëdhënieve deri në marsin e vitit 2023.

Pra, t’i japim shans pa gjoba marrëveshjes, por jo vetëm për targa e ta flakim tutje çështjen e bisedimeve për marrëveshje përfundimtare. Në anën tjetër, Serbia është zotuar që nuk do të lëshojë më aso targa të kohës së Millosheviçit”, – është shprehur Kurti për gazetarët gjatë një vizite të martën në Prizren.

Ai ka thënë se është optimist për një zgjidhje sa u përket targave brenda 48 orëve, duke theksuar se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, po i bën përpjekjet maksimale duke biseduar me Brukselin.

“Tani SHBA-së i duhen edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohet në dakordim sot ose nesër. Po i bëjnë përpjekjet maksimale. Nuk mendoj se jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal në mënyrë që brenda 48 orëve ta kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar për punët si puna e targave”, – theksoi Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë