Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thirrur kryetarët e partive politike në një takim për të premten në mesditë, teksa Kosova vazhdon përpjekjet për formimin e një qeverie të re gati nëntë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Osmani pritej t’i ftonte ata për takim konsultativ, pasi i mandatuari i parë nga ajo, Albin Kurti i partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje, dështoi të fitonte votat të mjaftueshme në Kuvend të dielën për ta zgjedhur qeverinë e re.
Ajo duhet ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë brenda 10 ditësh nga dështimi i mandatarit të parë, sipas Kushtetutës.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse do të caktohet një mandatar i ri, për shkak të mungesës së vullnetit nga partitë për të arritur ndonjë koalicion qeverisës.
Lideri i partisë së dytë më të votuar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të dielën e hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, në rast se presidentja do ta pyeste nëse e ka shumicën.
Pak ditë pasi nuk e mori mbështetjen e Kuvendit për një mandat të tretë, Kurti – i cili është kryeministër në detyrë – paralajmëroi zgjedhje të reja në dhjetor.
Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma nuk deshën të bashkëpunonin me të, ndërsa ai vetë nuk e donte PDK-në në bashkëqeverisje.
Gjithashtu, Osmani do ta theksojë rëndësinë e miratimit të buxhetit të Kosovës si dhe miratimin e Planit të Rritjes së BE-së gjatë bisedimeve të ardhshme me partitë politike, shtoi Kupina.
Në prag të këtij takimi, shoqëria civile në vend i bëri thirrje presidentes t’i bashkojë partitë për ta miratuar buxhetin e ri të Kosovës.
Kosova e bëri Kuvendin e ri muaj më parë, por dështimi javën e kaluar për ta formuar një qeveri të re, ka rritur rrezikun që vendi të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.
Eksperti i financave, Haki Shatri, tha për REL-in të martën se shteti rrezikon të falimentojë, teksa mund të mos ketë para as për paga, e as për pensione e shtesa për fëmijët në fillimvitin e ardhshëm, nëse nuk miratohet buxheti i ri.
Shatri, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, shtoi se pa një qeveri të re, në janar s’do të ketë para as për ushtrinë e Policinë.
Paraliza politike ka bërë gjithashtu që Kosova të mos jenë në gjendje ta marrë asnjë qindarkë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, nga i cili parashihet të përfitojë mbi 880 milionë euro.
Plani i Rritjes përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.
Kosova duhet ta ratifikojë në Kuvend marrëveshjen me bllokun për të qenë në gjendje të fillojë t’i pranojë të hollat.// REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



