Nga Gazeta “SI”– Stoku i depozitave të qytetarëve u rrit lehtshëm gjatë muajit maj, duke mbetur pothuajse i pandryshuar nga prilli, me rritje 0.02%.
Gjatë prillit stoku total i depozitave ishte 1.228,2 trilionë lekë dhe në maj arriti në 1.228,5 trilion lekë, me një rritje vetëm prej 300 mln lekësh, për një muaj.
Rritja e lehtë prej 0.07% nga marsi në prill u duk si sinjali i parë i normalizimit të rritjes së depozitave, por rënia në 0.02% gjatë majit tregoi të kundërtën.
Në raport vjetor, nga maji i kaluar, rritja është më e madhe, rreth 8%, ndonëse maji i kaluar solli rritje të vrullshme të depozitave, për të rënë përsëri në fund të nëntorit 2021.
Shifrën më të lartë të stokut të depozitave që nga viti 2006, e pati janari 2022, me 1.234 triliardë lekë, me rritje vjetore rreth 10%.
Por muaji shkurt dhe në vazhdim solli rënie të stokut të kursimeve në banka, duke treguar se qytetarët po tërhiqnin paratë e tyre.
Ky fenomen përkon me të njëjtën kohë kur nisi pushtimi rus në Ukrainë dhe kaosi në tregjet botërore, sidomos ato të hidrokarbureve dhe ushqimeve.
Gjatë kësaj periudhe, përfaqësues të bankave tregtare, por edhe vetë Guvernatori i Bankës, Gent Sejko, thanë se sektori bankar ishte pothuajse plotësisht imun, për shkak të ekspozimit të ulët ndaj vendeve në konflikt.
Në një deklaratë të mëhershme, Sejko tha se vetëm 3.4% e totalit të kapitalit të bankave është me origjinë ruse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.