Para

Kursi i këmbimit/ Banka e Shqipërisë bleu 195 mln euro në gjysmën e parë të vitit

Nga Gazeta ‘SI’ – Në gjysmën e parë të vitit 2025, Banka e Shqipërisë tërhoqi nga tregu, me anë të blerjes, rreth 195 milionë euro.

Blerjet janë kryer me anë të 10 ankandeve të shpërndara gjatë periudhës. Vetëm në tremujorin e dytë, BSH bleu 161 mln euro.

Kjo vlerë është sa gjysma e vlerës së blerë një vit më parë, 542 mln euro, kur monedha europiane pësoi tronditje të fortë, për herë të parë ra poshtë 100 lekëve.

Në periudhën prill-qershor, Banka kreu operacioni të injektimit të parasë, me një vlerë mesatare ditore 26.93 mld lekë, pak më pak se në periudhën paraardhëse. Në një krahasim që merr në konsideratë sjelljen sezonale, mungesa e likuiditetit ka rënë me rreth 62%, nga 43.67 miliardë lekë në 26.93 miliardë lekë.

Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor nëpërmjet ankandeve, kanë rritur likuiditetin me 5.69 miliardë lekë, ndërsa shitjet e valutës Ministrisë së Financave e kanë ulur likuiditetin në llogarinë e qeverisë me 5.45 miliardë lekë, duke pasur ndikim të papërfillshëm në mungesën e likuiditetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë