Ka ndodhur

Kurbin, arrestohet 40-vjeçari që dhunonte gruan. I gjenden armë gjahu dhe qindra fishekë

Gazeta Si - Një 40-vjeçar është arrestuar në Kurbin, pasi është kallëzuar nga bashkëshortja e tij për dhunë fizike, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Gjatë kontrollit fizikë në banesën e çiftit, policia gjeti dhe sekuestroi 2 armë gjahu dhe 455 fishekë armës zjarri.

“Si rezultat i reagimit të Komisariatit të Policisë Kurbin, menjëherë pasi një 38-vjeçare kallëzoi se dhunohej nga bashkëshorti i saj, u mundësua kapja dhe arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, konkretisht Sh. R., 40 vjeç, banues në Mamurras. Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, u krye kontroll në banesën e të arrestuarit, ku u gjetën 2 armë gjahu, 300 fishekë automatiku dhe 155 fishekë pistolete, që mbaheshin pa leje, nga 40-vjeçari”, tha policia vendore.

Pas veprimeve të kryera, dosja i kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Lezhës, për veprat penale “dhuna në familje”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë