Ngjarje

Kurban Bajrami/ Politika uron besimtarët: Kjo festë bart mesazhin e sakrificës sublime 

Nga Gazeta 'Si' - Presidenti i Republikës Bajram Begaj uroi besimtarët myslimanë në festën e Kurban Bajramit. Ai kërkon që reflektimi në këtë ditë të shenjtë, të shërbejë për të bërë të mundur një shoqëri më të mirë e më të drejtë.

“Përzemërsisht i uroj Kurban Bajramin besimtarëve myslimane shqiptarë! Kurban Bajrami bart mesazhin e sakrificës sublime duke mundur egoizmin, zemërimin dhe lakminë.

Kurban Bajrami është akt arsyeje dhe vullneti, me anë të të cilit ne kuptojmë madhështinë e mesazhit hyjnor dhe përpiqemi të përmbushim rolin tonë për të bërë të mira e për t’iu gjendur pranë atyre që nuk kanë mundësi.

Vetëm ky reflektim i gjithsecilit bën të mundur një shoqëri më të mirë e më të drejtë. Gëzuar për shumë vjet Kurban Bajramin!”

Ndërsa kryeministri Edi Rama, ka zgjedhur që përmes një fotoje të veçantë, të urojë besimtarët.

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në Shqipëri. Berisha, në mesazhin e tij thotë se uron që Bajrami që vjen të gjejë më mirë të gjithë shqiptarët.

"Të dashur miq, sot muslimanët shqiptarë në Shqipëri dhe kudo që janë festojnë Kurban Bajramin, ditën e mëshirimit, durimit, përkushtimit dhe sakrificës të njeriut për Krijuesin, veten, familjen, vendin e tij.

Le t’i urojmë ne së bashku nga zemra të dashur miq, çdo besimtari musliman si dhe mbarë shqiptarëve, Gëzuar këtë ditë të shenjtë dhe t’i lutemi Zotit të pranojë dhe shpërblejë me të mirat e tij çdo durim, sakrificë e përpjekje të çdo shqiptari. Bajrami që vjen më mirë të na gjej!", shkruan Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë