Ngjarje

Kur vdekja të vjen me ‘Jet Ski’ apo nga helikat e skafit, ngjarjet tragjike të turistëve (të huaj) në det

Gazeta Si – Mungesa e kushteve të sigurisë apo dhe manovrat e rrezikshme me “Jet ski” në ujë, kanë shënuar vitkimën e parë në nisje të sezonit turistik për këtë vit.

Silvester Dheug, 34 vjeç, me banim në Angli, është turisti që ka ndërruar jetë në zonën e Shkëmbit të Kavajës të dielën e 1 qershorit 2025. Ndërsa partnerja e tij, Vera Ruani, është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dy të huajt, janë me origjinë nga Gana, por me dokumente angleze. Paraprakisht, dyshohet se shkak i aksidentit janë bërë manovrat në ujë.

Policia arrestoi këtë të hënë 56-vjeçarin L.Xh., në Durrës, pronarin e “Jet Ski”-ve, për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.

Por vdekja e turistit britanik është ngjarja e radhës në një seri episodesh tragjike thuajse brenda një dekade, ku janë përfshirë më së shumti turistë të huaj. GazetaSi.al ka përmbledhur disa prej tyre.

Italiani Nicola Iorio, i cili humbi jetën në gusht 2024 në plazhin e Velipojës

Përplasja mes dy italianëve

Dy Jet-Ski, që drejtoheshin nga dy kunetër italianë, të cilët kishin ardhur me pushime në Shqipëri, u përplasën në plazhin e Velipojës në 18 gusht 2024.

Përplasja mes dy motorëve të ujit ndodhi 1 milje jashtë perimetrit të sigurisë si pasojë e manovrave të gabuara, sipas njoftimit të policisë.

Si pasojë e përplasjes, humbi jetën 19-vjeçari italian, Nicola Iorio, ndërsa kunati i tij, Salvatore Di Tella, u arrestua dhe më pas u lirua falë garancisë pasurore për t’u hetuar në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Prokuroria e Shkodrës e akuzoi Di Tella-n për vrasje nga pakujdesia, edhe pse i riu pretendoi që në fillim se ngjarja ka qenë aksidentale.

Ish-polici Arjan Tase, i cili goditi për vdekje me helikën e skafit që drejtonte në Potam, 7-vjeçaren Jonada Avdiaj

Vdekja e të miturës në Potam

Më 2 gusht 2022, ish-punonjësi i policisë së Himarës, Arjan Tase duke drejtuar skafin e tij, përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdiaj, e cila kishte ardhur nga Anglia për të kaluar pushimet në Potam së bashku me familjen e saj.

Tase ishte nisur për të dalë nga zona (brenda kordonit të sigurisë), ku la disa persona të tjerë, teksa iu drejtua vendit ku notonte e mitura me babain e saj. Mjeti me shpejtësi të lartë përplasi të miturën duke i shkaktuar vdekjen.

Tase u shpall fajtor edhe në Apel për “vrasje me dashje”, ndërsa dënimi i tij prej 18 vitesh, zbriti në 12 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Familja Avdiaj me origjinë nga Tropoja jetonte në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime.

Për këtë ngjarje u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës, ku 8 prej tyre u akuzuan për shpërdorim detyre.

Turisti rus Denis Kaiumov, humbi jetën në plazhin e Livadhit i goditur nga helika e një mjeti lundrues

Turisti rus në Llaman

Paraditen e 3 gushtit 2016, turisti rus Denis Kaiumov u godit për vdekje nga një mjet motorik lundrues teksa notonte në plazhin e Livadhit në Himarë.

Viktima ka qenë duke pushuar në këtë zonë bregdetare nën shoqërinë e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Dyshohet se mjeti ujor i ka kaluar sipër 43-vjeçarit, i cili po lahej në det, duke i shkaktuar prerje të mëdha në trup, si dhe ka humbur njërën gjymtyrë.

Ai u dërgua menjëherë në spital, por nuk mundi të mbijetojë. Ndërsa, mjeti që e goditi u largua nga vendngjarja.

Policia arrestoi biznesmenin Fatmir Kuçi, i cili pretendoi se e gjeti në det të hapur të plagosur rusin dhe e ka ndihmuar duke e nxjerrë në breg, për t’i dhënë ndihmë mjekësore.

Por Gjykata e Apelit në Vlorë e liroi nga qelia, duke i caktuar vetëm “detyrim paraqitje”, pasi nuk u arrit të provohet se ai është autori i dëmtimit me vdekje të turistit rus.

Biznesmeni pretendoi se në zonën ku u gjet trupi i turistit të plagosur ka pasur edhe mjete të tjera lundruese.

Një mjet lundrues i bllokuar nga policia në Ksamil

Turistja ruse në Ksamil

Një vit më vonë, në 21 korrik 2017, një 15-vjeçare nga Rusia, Ksenia Riok humbi jetën tragjikisht, pasi u godit nga një mjet lundrues në plazhin e Ksamilit.

Policia arrestoi si autor të dyshuar Ermal Fatajn, pasi ofronte guida me skafin e tij përreth tre zonës së tre ishujve.

Pas ngjarjes 31-vjeçari u përpoq të fshehë mjetin lundrues, çka e bëri policinë të dyshojë se është pikërisht ai personi që aksidentoi për vdekje adoleshenten ruse.

Edhe pse e mohoi autorësinë e ngjarjes, gjatë këqyrjes së mjetit lundrues, policia gjeti në helikën e skafit të Fatajt flokë, të cilat u dërguan për ekspertim në laboratorin e policisë.

Por Laboratori Shkencor nuk mundi të përftojë një profil gjenetik nga krahasimi i fijeve të flokëve të gjetura në skafin e Fatajt, me ato të viktimës.

E reja ishte duke u larë me nënën e saj në det dhe në një moment është larguar me not deri në hapësirën ujore ku parkohen mjetet lundruese.

Në atë kohë nëna e Ksenias vërejti një mjet lundrues që kaloi  me shpejtësi dhe që dyshohet se  goditi me helikë vajzën e saj.

Turistë mbi “Jet Ski”

Adoleshentët në Llaman

Në 20 gusht 2023, 4 adoleshentë u aksidentuan me dy “Jet Ski”, teksa u përplasën gjatë manovrave me njëri-tjetrin gjatë lundrimit në det në Himarë në plazhin e Llamanit.

Policia tha se 16-vjeçari K.Xh., u plagos rëndë në fytyrë dhe kokë dhe u nis me helikopter drejt Tiranës, ndërsa lëndime mori edhe 17-vjeçari me inicialet D.K.

Paraprakisht u dyshua se plagosja kishte ndodhur gjatë hedhjes nga shkëmbi në det, por kjo ka rezultuar dëshmi e rreme e 17-vjeçarit me inicialeU. K., i cili tentoi të fshehë ngjarjen. E.A


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë