Lexo me "Si"

Kur shteti shqiptar, taksonte beqarët dhe të shkurorëzuarit

Gazeta “SI”- Më 9 shkurt të vitit 1951, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi dekretin numër 1222 mbi tatimin e beqarëve. Ligji prekte meshkujt nga 20 deri në 50 vjeç, dhe gratë nga 20 deri në 40 vjeç që ishin beqarë, të veja apo të shkurorëzuara dhe pa fëmijë.
Punëtorët dhe nëpunësit tatoheshin me 3 përqind mbi të ardhurat, zejtarët, tregtarët dhe profesionistët me 4 përqind mbi të ardhurat, fshatarët me 600 lekë në vit, dhe të tjerët me 200 lekë në vit.
Tatimi paguhej më 1 korrik dhe 1 dhjetor të çdo viti. Ata shtetas që kishin të ardhura dytësore të tjera, tatoheshin edhe mbi këto të ardhura.


Nga ligji përjashtoheshin ushtarakët dhe nënoficerët, nxënësit dhe studentët, invalidët e luftës dhe të punës, shtresat me të ardhura të pakta ekonomike dhe klerikët që nuk martoheshin.
Dekreti u miratua duke pasur parasysh nivelin ekonomik të vendit dhe i mbështetur në eksperiencën sovjetike, siç thotë edhe relacioni i bashkangjitur dekretit.

Ndryshimi me ligjin sovjetik ishte se në Shqipëri ishte aplikuar zbritja bujare e shumës në gjysmë ose më pak se gjysmë se ajo e vendosur në Bashkimin Sovjetik.

Tatimi i beqarëve nuk shfaqet për herë të parë brenda bllokut të lindjes. Ai është zbatuar që në Romën e vitit të parë pas Krishtit e deri në Rumaninë e vitit 1989. Arsyet e vendosjes së kësaj takse ndryshojnë sipas kohës dhe vendit.

Diku ishte mbledhja e të ardhurave në dobi të arkës shtetërore. Diku tjetër taksa vendosej për efekt shtimin e pjellorisë dhe të popullsisë. Ndërkohë, edhe pse shuma që duhet të paguanin beqarët nuk ishte e madhe, ajo krijonte panik moral duke i shtyrë të rinjtë drejt martesës.
Gjatë periudhës së fashizmit dhe nazizmit, taksa nuk synonte vetëm shtimin e popullsisë por edhe ruajtjen e pastër të racës.

Marrë nga: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë