Nga Gazeta Si- Një nga ditët më të paharrueshme në Shqipëri është edhe vizita e Papa Françeskut në 21 shtator të vitit 2014, vizita e parë në një vend europian pasi u bë Papë.
Papa Bergoglio erdhi në Shqipëri 21 vite pas Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, më 25 prill 1993, erdhi të sjellë frymën fetare pasi viteve të komunizmit.

Sapo mbërriti, Papa Bergoglio u mahnit nga të rinjtë, që e pritën me dashuri të jashtëzakonshme, siç pati deklaruar atë Federico Lombardi, asokohe zëdhënës i Papës. E ndoqën kudo, nga aeroporti tek Presidenca e Shqipёrisё, nga Sheshi Nënë Tereza në Universitetin Katolik, nga Katedralja e Shën Palit në Qendrën Betania.
Ati i Shenjtë, përshkoi me makinën e tij Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u përshëndetur me duartrokitje nga rreth 300 mijë qytetarë dhe besimtarë, pa dallim feje e kombësie që kishin mbushur si asnjëherë tjetër rrugët e sheshet e Tiranës për të pritur me entuziazëm Papa Françeskun, në këtë vizitë historike në vendin tonë.
Fjalët e Papës ishin frymëzuese dhe shumë të qarta. “Askush të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa planifikon e kryen akte dhune. Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij. Shqipëria dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”, tha Papa Françesku.

Ndërsa në vizitën në Qendrën Betania Papa nënvizoi se e mira të shpërblen pafundësisht më shumë se paratë, të cilat zhgënjejnë.
Papa foli edhe për flamurin, duke thënë se për një vend që ka shqiponjën në flamur nuk mund të jetë gjithçka ‘zi’.
Kjo shqiponjë, sugjeroi Papa Françesku, “t’ju kujtojë shpresën”.
“Ajo nuk e harron folenë, por fluturon lart. Fluturoni lart! Ngjituni lart! edhe ju”, u tha Ati i Shenjtë shqiptarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.