Politike

‘Kur një parti i trembet informacionit, unë i largohem asaj’, Sali Berisha ‘ndriçon’ një mendje me librin e Teodor Kekos  

Të martën e 25 prillit, Sali Berisha dhuroi  disa libra për anëtarët e Departamentit Brain Gain dhe Ekselencës ngritur nga ‘Rithemelimi’

Zyra e shtypit njoftoi se, Berisha iu bashkua nismës “Dhuro një libër, ndriço një mendje”, nismë që synon dërgimin e librave atje ku ka pamundësi financiare.

Ajo që bie ne sy në një stive te vogël të librave të dhuruara prej tij është libri i publicistit dhe gazetarit të ndjerë Teodor Keko, marrëdhënien me të cilin ndër vite  Berisha e ka pasur të ndërlikuar.

Berisha ka dhuruar një libër me poezi të Kekos ku ndër më të veçantat ka qënë ajo kushtuar bashkëshortes së tij, Xhulit.  

“…Teodor Keko, është një tjetër poet, shkrimtar i talentuar, por që jeta e tij ishte relativisht i shkurtër. Teodori i ishte një shpirt i lirë, dhe në diktaturë Teodori u përpoq të mos përshtatej, përkundrazi të shprehte mendimet e tij, dhe vepra e Teodorit është me të vërtetë një perlë, një bizhu në letërsinë shqiptare. Ai që lexon do të njihet me një poet të madh, një poet klasi…”, tha Berisha

Kushdo që ka ndjekur fillimet e themelimit të PD-së do t’i kujtohet emri i Teodor Kekos i cili në vitin 1992 (atëkohë në cilësinë e kryetarit të komisionit te Medias) mbajti një fjalim publik për shkëputjen nga PD-ja.

Ai ishte në grupin e parë të të larguarve nga PD për t’ju bashkuar një tjetër lëvizje politike Aleancës Demokratike.   

“Kur një parti i trembet informacionit, unë detyrohem t’i largohem kësaj partie”, ishte ndër shprehjet e famshme të publicistit të njohur Teodor Keko i cili u nda nga jeta në vitin 2002.

Sot Sali Berisha e risjell figurën tij në një tjetër dimension, atë të penës, aty ku Keko shkëlqeu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë