Futboll

Kur mishi i pulës të shkatërron karrierën, historia e rrallë e kampionit të botës

Është e lehtë ta harrosh, por Andre Shyrrle është një kampion bote. Në 2014-ën ka marrë pjesë si protagonist në suksesin e Gjermanisë në tokën braziliane. Kur ishte 24 vjeç, dukej se futbolli kishte gjetur një tjetër yll të shndritshëm. Si në rastin e Mario Gotzes, por nuk ka shkuar ekzaktësisht kështu.

Nëse lojtari i PSV-së mund të fajësojë një problem gjenetik, që nuk e ka lejuar të luajë në vazhdimësi, për karrierën e Shyrles, që nuk shkoi sipas parashikimeve derisa ai u tërhoq nga futbolli pa mbushur 30 vjeç, është faji i një cope mishi pule, ose më saktë një kafshate. Siç ka treguar ai për “Sun”, pula i ka kushtuar Çelsin dhe shumë më tepër.

Andre Shyrrle feston me kupen e botes. Gazeta Si, 18 shtator 2021

Toksikimi nga ushqimi është shumë problem për një futbollist, që nuk është se ka një fizik edhe aq të fortë. Një histori e shëmtuar që ka ndodhur pak pas Botërorit dhe pasojat janë ende të freksëta në mendjen e Shyrrles. “Më bëri keq një copë mishi pule dhe që nga ai moment nuk kam ngrënë kurrë mish pule në jetën time. Nga e gjithë skuadra, u bëra keq vetëm unë.

Ndodhi gjatë një transferte në Poloni. Duke qenë i dobët, të humbësh tre, katër apo pesë kilogramë, është një problem i madh. M’u desh vërtet shumë për të marrë veten. Ndihesha keq dhe ndonjëherë më dukej sikur nuk ngrihesha dot nga krevati. Në fund zbuluam se ishte salmonela shkaku”. Kjo histori i kushtoi gjermanit fanellën e titullarit te Çelsi i Mourinjos.

Shyrrle me fanellen e Celsit. Gazeta Si, 18 shtator 2021

“Mëkat, sepse numrat tregonin se isha në formë dhe kisha besimin e trajnerit. Pastaj isha keq dhe nuk kisha mundësinë për të treguar vlerat e mia. Dhe kur u krijua mundësia për t’u kthyer në Gjermani, Mourinjo më lejoi të largohesha”.

Raporti me “Special One” mbetet special për Shyrlen” “Kur Çelsi fitoi kupën e Ligës, Mourinjo më dërgoi një mesazh përgëzimi dhe më ftoi të shkoja në Londër për të festuar, sepse kupën e kisha fituar edhe unë. Ishte vërtet një gjest i bukur”. Në fund karriera e tij u mbyll me një shije të hidhur dhe këtë herë nuk ishte faji i mishit të pulës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë