Fatjon Rupi – Ferhan Hasani është lojtari i fundit i një niveli të lartë që i është bashkuar Superiores në merkaton e dimrit. Një lojtar me shumë përvojë dhe mbi të gjitha me shumë klas, ashtu si Agim Ibraimi dhe Taulant Seferi. Janë që të tre lojtarë kalibri, që bëjnë diferencën me skuadrat e tyre dhe që të tre janë nga Maqedonia e Veriut. Rastësi? Jo, aspak.
Janë gjithmonë e më të shumtë lojtarët shqiptarë të ardhur në kampionatin tonë nga vendi fqinj dhe që përgjithësisht kanë një nivel të lartë profesional. Nuk janë vetëm Hasani te Partizani, Ibraimi te Kukësi dhe Seferi te Tirana. Ndoshta jo në këtë nivel, por gjithsesi lojtarë nga më të mirët e kampionatit janë edhe Mevlan Adili e Demir Imeri te Vllaznia kryesuese, Egzon Belica dhe Jasir Asani te Partizani e ndonjë tjetër.
Hasani dhe Ibraimi kanë laujtur një numër të konsiderueshëm ndeshjesh edhe me kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, kurse Seferi, i lindur në Kumanovë dhe i rritur në Zvicër si futbollist, ka zgjedhur fanellën kuqezi, këtë sezon edhe atë bardheblu të Tiranës.
Partizani ngulmoi fort për Ferhan Hasanin dhe tashmë e konsideron një “kartë” të fortë në garën e titullit. Shumë shpejt ish-lojtari i Brondbit, Volfsburgut, ish-kapiten i Shkëndijës së Tetovës dhe disa skuadrave të tjera, pritet të tregojë klasin e tij në fushën e blertë me fanellën e kuqe. Është nga më të paguarit e kampionatit, sepse klasi dhe përvoja kanë kosto të lartë.
Agim Ibraimi, i cili më pare ka shkëlqyer me Mariborin, ndryshe nga Seferi dhe Hasani, ka ardhur që në fillim të sezonit në Superiore dhe e ka treguar veten me golat dhe lojën e tij deri tani. Kukësi, duke parë personalitetin e tij në fushë, e gradoi menjëherë kapiten të skuadrës. Është vërtet bukur të shohësh lojtarë të nivelit të tij në Superiore.
Taulant Seferi, më i ri në moshë se dy të tjerët, duket se po e merr për dore Tiranën. Ai ka shënuar 2 gola në ndeshjet e fundit dhe është rreziku numër 1 për kundërshtarin. Edhe ai është një nga ata lojtarë që e zbukurojnë Superioren me klasin e tyre, por mbi të gjitha me profesionalizmin e tyre.
Me më pak klas, sepse është një mbrojtës qendre, por po aq lider në skuadër, është edhe Mevlan Adili. Pika kyçe e Vllaznisë, skuadrës që kryeson kampionatin, Edhe ai shqiptar nga Maqedonia e Veriut, ish-lojtar i Shkëndijës. Demir Imeri, një tjetër shqiptar nga Maqedonia e Veriut po ashtu është titullar te Vllaznia, që po lë gjurmë këtë sezon.
Pse gjithë këta lojtarë me kualitet kanë zgjedhur Shqipërinë para Maqedonisë së Veriut, apo edhe Kosovës? Strugani Artim Pollozhani, një nga shqiptarët e parë nga Maqedonia e Veriut që ka luajtur në futbollin tonë, e lidh këtë fenomen me dy faktorë: nivelin e kampionatit dhe pagat, që në Shqipëri janë më lart.
“Të gjithë këta lojtarë që ju përmendni, hiq Adilin, janë lojtarë që kanë një karrierë të mirë jashtë Maqedonisë së Veriut. Ata sigurisht që kanë kualitet, por edhe janë rritur ose kanë pasur karrierë jashtë Maqedonisë, në vende ose klube të mirorganizuara nga ana profesionale. Janë të gjithë profesionista.
Agimin (Ibraimin) dhe Hasanin i njof më mirë, Seferin jo shumë. Këta të dy kanë qenë profesionistë edhe janë sigurisht, sepse janë edukuar në klube të mira europiane. Tani atë eksperiencë ata e japin edhe këtu në Shqipëri. Pse kanë preferuar Shqipërinë dhe jo Maqedoninë e Veriut? Sepse është më lart niveli i kampionatit. Në Maqedoninë e Veriut është shumë i ulët niveli, hiq një Shkëndijë, që ngjan me klubet europiane, të tjerët janë shumë larg. Shkëndija është si një ishull”, – thotë Pollozhani për Gazeta Si.
Më tej, ish-lojtari i Dinamos, Flamurtarit dhe Skënderbeut, aktualisht ndihmës i Ilir Dajës në stolin e Partizanit, sjell vëmendje edhe një fakt tjetër: “Janë shumë lojtarë nga Maqedonia e Veriut këtu dhe janë të gjithë të mirë. Ka të bëjë niveli i kampionatit dhe sigurisht pagesat, që këtu janë goxha më lart. Ka një fakt që mund të vihet re. Lojtërët e Maqedonisë së Veriut zgjedhin Shqipërinë para Kosovës, pavarësisht se kjo e fundit ka ndonjë klub që mund të paguajë mirë.
Për shembull, nëse një klub kosovar i jep Ibraimit të njëtën rrogë me Kukësin, ai zgjedh Shqipërinë. Lojtarët shqiptarë këto vitet e fundit ndoshta zgjedhin më parë të mos kenë vonesa pagash në klubet ku luajnë, se cilësinë e kampionatit. Ky është fakt. Ndryshon pak puna me shqiptarët nga Maqedonia e Veriut, që sigurisht i shohin pagesat, por edhe nivelin e kampionatit ku do të luajnë”.
Edhe më parë në Superiore kanë luajtur futbollistë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Nijaz Lena te Flamurtari, Kukësi dhe Teuta, si dhe Artim Shaqiri te Besa, janë dy prej tyre. Që të dy kanë shfaqur klas, ashtu siç po bëjnë sot shumë të tjerë nga vendi fqinj, duke qenë ndër më të mirët e kampionatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.