Ne rrjet

Kur keni një problem pengjesh, duhet të shkoni në Lindjen e Mesme

Nga Gazeta ‘Si’ – Nuk ka ndodhur që nga koha e Luftës së Ftohtë, që kaq shumë qytetarë amerikanë të mbahen peng apo të burgosur në vende që konsiderohen armiqësore. Vetëm kohët e fundit, Rusia po mban të burgosur me akuza të dyshimta ish-marinsin amerikan Paul Nicholas Whelan dhe gazetarin korrespodent  të “Wall Street Journal” Evan Gershkovich.

Për më tepër, deri disa muaj më parë, në burgjet ruse ishte edhe basketbollistja e famshme e SHBA-së Brittney Griner. Për ta kthyer në shtëpi, Shtetet e Bashkuara u detyruan të kryenin një shkëmbim me një nga trafikantët më famëkeq të armëve në historinë e dekadave të fundit:rusin Viktor Bout.

Shtimi i rasteve në të cilat shtetasit amerikanë kapen rob ose merren peng, është një problem serioz për Shtetet e Bashkuara. Por nga ana tjetër, është një mundësi e artë për disa shtete të Lindjes së Mesme që të shfaqen me sukses si ndërmjetës dhe negociatorë, falë një diplomacie të mjegullt, e cila i lejon të ndërhyjnë në kriza të mëdha ndërkombëtare.

Gjatë Luftës së Ftohtë ky rol iu caktua shpesh vendeve neutrale të Evropës Qendrore, si Zvicra apo Austria. Sot ndërmjetësuesit janë vende të tjera, në mesin e të cilave spikatin Turqia, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, të cilët po marrin një rol gjithnjë e më qendror si në krizat e pengjeve, ashtu edhe në shumë situata të tjera ku nevojitet një ndërmjetës sa më neutral.

Për shembull, kjo është ajo që po ndodh me luftën në Rripin e Gazës. Shembujt e kësaj tendence janë të shumtë. Në prillin e vitit 2022, Turqia ndërmjetësoi një shkëmbim të papritur të të burgosurve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Shkëmbimi u krye në aeroportin e Ankarasë, kryeqytetit të Turqisë, nën monitorimin e zyrtarëve të inteligjencës turke.

Ishte një operacion shumë delikat, kompleks dhe sekret, që bëri bujë nga pikëpamja diplomatike. Sepse për shkak të luftës në Ukrainë, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, janë aktualisht ndër më të tensionuarat në dekadat e fundit.

Disa muaj më vonë, në shtatorin e vitit 2022, sërish Turqia, këtë herë bashkë me Arabinë Saudite, ndërmjetësoi një negociatë të gjatë, e cila përfundoi me shkëmbimin më të madh të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës që nga fillimi i luftës:rreth 300 ukrainas, rusë dhe luftëtarë të huaj.

Edhe kohët e fundit, Turqia dhe sidomos Katari ndërmjetësuan negociatat për armëpushimin e parë midis Hamasit dhe Izraelit, që lejoi shkëmbimin e ndërsjellë të qindra pengjeve dhe të burgosurve. Në rastin e Turqisë, roli ndërmjetësues u shfaq më shumë në rastin e luftës në Ukrainë.

Turqia është pjesë e NATO-s, aleanca ushtarake që përfshin shumicën e vendeve perëndimore. Po ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera edhe me Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin. Turqia i shet Ukrainës dronë luftarakë, por në të njëjtën kohë, duke anashkaluar sanksionet e Perëndimit, eksporton në Rusi një sërë mjetesh, që ushtria ruse i përdor në fushatën e saj ushtarake, si mikroçipet, pajisjet e komunikimit dhe pjesë këmbimi që mund të përdoren edhe për armët.

Pra Turqia mban një pozicion të ndërmjetëm midis dy vendeve në luftë dhe aleatëve të tyre përkatës,. Dhe gjatë gjysmës së këtij viti, e ka përdorur këtë pozicion në disa raste për t’i lejuar të dyja palët të marrin diçka, duke fituar edhe vetë një ndikim jo të vogël.

Kjo gjë u pa edhe me të ashtuquajturën Marrëveshje mbi Grurin (që në realitet ka të bëjë përgjithësisht me drithërat dhe ushqimet e tjera), e arritur midis Rusisë dhe Ukrainës në korrikun e vitit 2022 pas negociatave të gjata dhe komplekse të ndërmjetësuara nga Turqia por edhe OKB-ja.

Pasi u arrit marrëveshja, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi duke iu referuar vendeve perëndimore:”Ata bënë vetëm provokime dhe asnjë përpjekje për të ndërmjetësuar dhënien fund të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës” (marrëveshja u prish në shtator të këtij viti).

Në lidhje me shkëmbimet e të burgosurve, roli ndërmjetësues i Turqisë u mor kryesisht përsipër nga Ministri aktual i Jashtëm Hakan Fidan, i cilësuar nga gazeta amerikane Wall Street Journal si “dora e fshehtë e diplomacisë turke të pengjeve”.

Fidan ka një karrierë të gjatë tek shërbimet sekrete, dhe vlerësohet shumë për aftësitë e tij edhe jashtë Turqisë. Ai e nisi karrierën e tij në ushtrinë turke dhe më pas në NATO, në një njësi të krijuar enkas për të menaxhuar situatat e krizës brenda një kohë të shkurtër.

Më pas drejtoi Agjencinë Turke të Bashkëpunimit dhe Koordinimit, duke u marrë me bashkëpunimin ndërkombëtar, dhe më pas u bë shefi i inteligjencës turke (Organizata Kombëtare e Inteligjencës, MIT), më i riu në moshë historinë e Turqisë, vetëm 42-vjeç.

Ai u largua nga detyra në qershor të këtij viti, ku u emërua si Ministër i Jashtëm pas fitores së Erdogan në zgjedhjet e fundit. Fidan ka mbajtur gjithnjë një profil shumë të ulët publik, duke dhënë pak intervista dhe duke mos u shfaqur shumë në media.

Megjithatë, ishte ai që koordinoi shkëmbimin e të burgosurve midis Reed dhe Yaroshenkos në pranverën e vitit 2022, shkëmbimi i parë i të burgosurve i këtij niveli, i menaxhuar nga Turqia. Në rastin e Katarit, një shtet i vogël me rezerva të mëdha nafte, ndikimi që ka fituar kohët e fundit ka prapa disa arsye.

Nga njëra anë është puna e madhe e emirit Tamim bin Hamad Al Thani, në pushtet prej 10 vitesh, dhe që është gjithmonë i interesuar për t’i siguruar Katarit një rol udhëheqës në politikën globale. Kjo mundësi i erdhi mbi të gjitha me luftën në Rripin e Gazës, që i tha shansin siç e thekson Foreign Policy të arrinte “profilin publik më të lartë se çdo udhëheqës tjetër arab prej një kohe të gjatë”.

Ndërkohë e ndihmoi jo pak fakti që disa nga liderët e Hamasit jetojnë në Katar. Po ashtu, atje ka një zyrë tregtare izraelite (që de fakto funksionon si një lloj ambasade), dhe një bazë ushtarake amerikane. Katari është një nga vendet e pakta arabe që ka linja të hapura komunikimi me Izraelin dhe Hamasin.

Vitet e fundit, ky shtet ka mbajtur në disa raste kanale të hapura komunikimi në mënyrë paralele me vende ose blloqe vendesh që janë shumë armiqësore ndaj njëri-tjetrit, duke fituar fuqi negociuese me të dyja palët në raste konfliktesh apo ndryshime të situatës gjeopolitike, theksonte në një artikull të kohëve të fundit revista amerikane “The Yorker”.

Kjo e bën Katarin “një nga negociatorët më të kërkuar në botë për të zgjidhur krizat e shkaktuara nga pengjet”. Nga ana tjetër, Emiratet e Bashkuara Arabe ishin vendi ku një vit më parë u krye shkëmbimi i të burgosurve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, ku përfshihej edhe basketbollistja amerikane Brittney Griner, e cila gjendej prej disa muajsh e burgosur në Rusi me akuzën e trafikut e drogës dhe trafikanti famëkeq i armëve Viktor Bout, i cili po vuante një dënim të gjatë me burg në Shtetet e Bashkuara. Shkëmbimi u krye në një aeroport në Abu Dhabi, kryeqyteti i vendit.

Burimi: Il Post/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë