Futboll

Kur futbolli shkrihet me humanizmin

Futbolli është një nga sportet më popullorë, që mbledh me mijëra tifozë dhe dashamirës pas vetes. Por në kohët e fundit është treguar në shumë raste që futbolli nuk është vetëm sport, por shumë më tepër. Futbolli si një industri gjigande që gjeneron të ardhura në shifra stratosferike, është duke u shkrirë gjithmonë e më shumë me aspekte të tjera të jetës, por edhe është bërë më humanitar më disa raste.

Kupa e Botës dhe Humanizmi

Për ta filluar nga Kupa e Botës, Rusi 2018. Pothuajse çdo ditë të këtij kompeticioni, si më i rëndësishmi i botës futbollistike çdo katër vite, u mësuam të dëgjonim lajme se lojtarë apo ekipe angazhoheshin në fushata humanitare. Kilian Mbape, gjatë Kupës së Botës deklaroi se një përqindje e konsiderueshme të ardhurave të tij gjatë këtij eventi do të shkonin në ndihmë të personave në nevojë në Francë, kryesisht atyre që vinin nga vendet e varfra afrikane. Gjithashtu edhe Dembele ndau një pjesë të fitimeve të tij, rreth 500 mijë euro për të kontribuuar në ndërtimin e një xhamie në vendin e tij të origjinës, në Muaritani.

Por lajmi më sensacional që qarkulloi në ditët e fundit të kampionatit botëror, ishte se kombëtarja e Kroacisë kishte dhuruar të gjitha fitimet e saj për fëmijët në nevojë. Por edhe pse rezultoi një “fake news” edhe kjo histori tregon shumë. Do të thotë se futbolli është bërë më shumë human dhe njerëzit presin më shumë se sa golat nga ata që zbresin në fushën e blertë dhe nga mbrapa kanë me mijëra dhe miliona fansa. Kapiteni i Krocisë, Luka Modriç e kishte treguar në fakt edhe më herët se është i ndjeshëm ndaj rasteve të njerëzve në nevojë. Vetëm tre muaj më herët mesfushori kroat kontribuoi në operacionin e një vajze shqiptare që vuante nga një sëmundje e rëndë.

Yjet e futbollit në fushata humanitare

Ronaldo, Mesi, Bekam dhe shumë të tjerë, nëse i përmendim menjëherë të shkon mendja tek ajo çka ata bëjnë në fushën e lojës me topin e futbollit nëpër këmbë. Por, për këta futbollistë mund të flasim edhe në aspektin humanitar dhe të aktivitetit të tyre në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Janë me dhjetëra fushatat e UNCHR dhe UNICEF që sulmuesi i Barcelonës, Mesi ka marrë pjesë duke dhuruar shifra të konsiderueshme të ardhurash. Por edhe ai që në fushë duket shumë arrogant, Kristiano Ronaldo, ka një fond të dedikuar që çdo vit shkon në ndihmë njerëzve në nevojë në vendin e tij, Portugali. Ronaldo gjithashtu ka ndihmuar në rinovimin apo ngritjen e qendrave shëndetësore e mësimore në Madeira, vendlindjen e tij. Bekam prej disa vitesh është ambasador nderi i UNCHR, me aktivitet që kryesisht përqendrohet në Afrikë.

Futbollistët shqiptar në ndihmë të njerëzve në nevojë

Por jo vetëm futbollistët dhe skuadrat e mëdha europiane kanë filluar të angazhohen në fushata humanitare. Këtij trendi ia janë bashkuar shumë futbollistët shqiptar. Ndër të parët që mori një hap konkret, ishte ish-kapiteni i kombëtares, Lorik Cana. Ish-mbrojtësi me “varjen në gozhdë të këpucëve” çeli fondacionin e tij, “Lorik Cana 5 Foundation”. Në të vërtetë fondacioni i Canës nuk ka në fokusin e tij njerëzit në nevojë, por është një nisëm me fokus masivizimin e sportit dhe ofrimin e mundësive për të gjithë fëmijët që të merren me sport dhe të qëndrojnë larg veseve të këqija.

Përtej fondacionit të Canës, janë të shumtë futbollistët  shqiptar që shquhen për aktivitet humanitare në ndihmë të njerëzve në nevojë. Andi Lila, Mërgim Mavraj, Xherdan Shaqiri apo vëllezërit Xhaka, janë vetëm disa nga futbollistët, që kanë kontribuuar për njerëz në nevojë dhe i janë bashkuar shoqatave humanitare dhe fushatave sensibilizuese në mbarë hapësirën shqipfolëse.Por edhe kombëtarja shqiptare e futbollit i është bashkuar këtyre iniciativave. Në muajin mars, në prag të një ndeshje miqësore i gjithë grupi i lojtarëve të kombëtares dhe i FSHF-së shkuan në në qendrën Rajonale për Autizmin në Farkë për të takuar dhe mbështetur fëmijët e kësaj kategorie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë