Nga Sokol Çunga- Kur fillon feminizmi ndër shqiptarë është pyetja që bëjmë shpesh në shkëmbime bisedore. Nuk synojmë të përgjigjemi me një datë të vetme, por duke sjellë në vëmendje një ngjarje.
Më 3 gusht 1920 në Shkodër u krijua “Komiteti i Zojavet ‘Grueja Shqyptare’ për ndihma bamirsije”. Synimi kryesor i Komitetit ishte mbledhja e mjeteve financiare dhe e sendeve në mbështetje të ushtrisë shqiptare që ndodhej në front të luftës. Bëhet fjalë, konkretisht, për përpjekjet mes ushtrisë shqiptare dhe ushtrisë së Mbretërisë së Serbisë që u zhvillua në korrik-gusht 1920 në Koplik.

Pas këtij motivi kryesor, Komiteti synon dhe të ndihmojë familjet e dëmtuara prej luftës. Pjesëtare e këtij Komiteti mund të ishte çdo vajzë e grua që dëshironte të kontribuonte vullnetarisht, në përputhje me Statutin e Komitetit. Kryetare nderi u caktua zoja e Hysen beg Bushatit, kryetare u zgjodh Shaqe Çoba, nënkryetare Age Koka, sekretare Paulina Leka, arkëtare Albnia Ashiku, e të tjera zonja shkodrane nënshkruan si anëtare dhe këshilltare. Qartazi, nuk kemi të bëjmë me një formë bashkëkohore të feminizmit ideologjik, dhe kjo duket qartë nga mënyra se si anëtaret e Komitetit identifikohen prej emrit të bashkëshortit.

Ky Komitet, veç përmasës së vet të bamirësisë, shpërfaq qartazi dhe një element tjetër të veprimtarisë shoqërore të nisur dhe të mbështetur nga vajzat dhe gratë në Shqipëri: shërben si piketë orientuese për lëvizjet e mëpasshme që do të krijohen prej dhe për gratë, pas organizimit shtetëror të Shqipërisë gjatë viteve 1920-30
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



