Ekonomi

‘Kur elefantët zihen’ – Sa do të reduktohet PBB-ja e Shqipërisë dhe Ballkanit nga tarifat e Trump

Nga Gazeta ‘SI’ – Tarifat e Trump do të kenë një ndikim të drejtëpërdrejtë në vendet e Ballkanit Perëndimor, që mund të përballen edhe me një rënie të ndjeshme të ekonomisë.

Më shumë se sa ndikimi i vetë tarifave, ekonomitë e BP do të preken nga ekspozimi direkt në tregjet europiane. Në Maqedoninë e Veriut, eksportet në BE arrijnë gati gjysmën e PBB-së. Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia janë vetëm pak “më mirë”, me eksportet e BE-së që arrijnë në rreth një të katërtën e PBB-së. Në Shqipëri, kjo përqindje është rreth 13%, ndërsa në Mal të Zi dhe Kosovë, është rreth 3% e PBB-së, që është ende shumë më e lartë se eksportet e tyre në SHBA.

Kjo do të thotë se Ballkani Perëndimor do të ndjejë ndikimin e luftës tregtare në mënyrë indirekte, përmes reduktimit të eksporteve drejt BE-së, eksportet e të cilit pritet të bien për shkak të ekspozimit të lartë në tregun amerikan dhe tarifave të reja amerikane të futura rishtazi – prej 25% në sektorin e automobilave, çelikut dhe aluminit, dhe 20% për mallrat e tjera.

Për ekonomitë prodhuese – Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën – kanali kryesor i ndikimit do të jetë reduktimi i eksporteve të mallrave në BE, veçanërisht në industritë e lidhura me automobilat, të cilat kohët e fundit kanë marrë një rol të madh në këto ekonomi.

Për ekonomitë e varura nga turizmi – Shqipërinë dhe Malin e Zi – lufta tregtare mund të rezultojë në më pak turistë të BE-së, pasi familjet në vendet e BE-së përballen me të ardhura më të ulëta dhe pasiguri më të lartë.

Sa do të vuajë Europa dhe Ballkani?

Europa vetë do të përballet me një rënie të PBB-së në 0.4-0.5% në vit. Sipas historikut, për cdo 1% ngadalësim të rritjes ekonomike në BE, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor ngadalësohen me 0.8-0.9 pikë përqindje. I vetmi rast përjashtimor është Mali i Zi që do të ulet me 1.9% për shkak të vulnerabilitetit më të madh që ka ekonomia e saj.

Pra, nëse rritja e BE-së ngadalësohet me 0.5 pikë përqindjeje për shkak të tarifave të Trump, atëherë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia mund të pritet të ngadalësohen me rreth 0.4 pikë përqindjeje. Mali i Zi, megjithatë, mund të përjetojë një ngadalësim prej afro 0.9 pikë përqindjeje.

“Mjellma e Zezë”

Në fillim efektet nuk janë shumë dramatike, por duhet të kujtojmë se modelet mbështeten në të dhëna dhe teori që janë zhvilluar ndër dekada të tregtisë së lirë kur bota kishte një tregti në rritje dhe tarifa në rënie. Tani është e kundërta. Tarifat e Trump janë “Mjellma e Zeza” – nnjë tronditje e pazakontë për të cilën nuk kemi mjete. Rrisqet janë rritje dhe ekonomitë mund të fundosen më shumë nga se parashikohet.

Burimi i parë i rrezikut vjen nga hakmarrja nga partnerët tregtarë, kryesisht Kina dhe BE-ja. Kina tashmë është përgjigjur. Disa presin që reagimi i BE-së të mos kufizohet vetëm në tarifa, por mund të synojë firmat kryesore të sektorit të shërbimeve amerikane, duke pasur parasysh se SHBA eksporton shumë më shumë shërbime në BE sesa importon. Një veprim i tillë pothuajse me siguri do të provokonte përshkallëzim të mëtejshëm nga SHBA – duke rritur më tej tarifat dhe ndoshta duke marrë masa të tjera. Kjo, nga ana tjetër, mund të çojë në një raund të ri kundërmasash si nga Kina ashtu edhe nga BE.

Një burim i dytë, dhe ndoshta më shqetësues, i rrezikut qëndron jashtë sferës së modeleve tradicionale të tregtisë. Vetëm në dy ditët e para pas njoftimit të Trump, bursa amerikane humbi rreth 10% të vlerës së saj – rënia më e madhe që nga pandemia COVID-19. Në terma absolutë, vetëm 500 kompanitë në indeksin S&P 500 humbën mbi 5 trilionë dollarë në vlerë tregu – më shumë se 20% të PBB-së së SHBA-së. Ekonomistët tani po parashikojnë gjithnjë e më shumë se SHBA do të hyjë në një recesion këtë vit.

Çfarë duhet të bëjnë qeveritë e Ballkanit?

Është bërë tashmë klishe, pas kaq shumë krizave në vitet e fundit, të citosh fjalën e Churchillit: “Kurrë mos lejoni që një krizë e mirë të shkojë dëm”. Por për qeveritë e Ballkanit Perëndimor, ky moment duhet të shërbejë vërtet si një thirrje zgjimi – një mundësi për t’u përballur dhe trajtuar disa nga dobësitë strukturore të gjata që vazhdojnë t’i lënë ekonomitë e tyre të prekshme ndaj goditjeve të jashtme.

Së pari, është koha për të reduktuar varësinë e tepërt nga një treg i vetëm ose një industri e vetme – edhe nëse ai treg është i BE-së ose ajo industri është e automobilave. Diversifikimi i destinacioneve të eksportit, duke përfshirë fokusin më të madh në partnerët rajonalë, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe tregje të tjera me rritje të shpejtë, mund të shërbejë në situata si kjo. Po aq i rëndësishëm është diversifikimi në industri të reja – veçanërisht ato me vlerë të shtuar më të lartë dhe finalizim më të madh të produkteve, të cilat zakonisht janë më pak të ndjeshme ndaj goditjeve globale.

Së dyti, modeli ekzistues i rritjes – i varur shumë nga IHD-të dhe puna me kosto të ulët – ka nevojë për një rivendosje. Ekziston një nevojë urgjente për të kaluar drejt një modeli të drejtuar nga inovacioni, i ndërtuar mbi firmat vendase, i mbështetur nga një politikë industriale koherente dhe proaktive.

Në planin afatshkurtër, qeveritë duhet të shikojnë për të nisur nxitësit e tjerë të rritjes përtej eksporteve. Kjo do të thotë nxitje e konsumit të brendshëm, për shembull nëpërmjet pagave më të larta dhe përdorimit të politikave fiskale në mënyrë më efektive për të rritur investimet publike, veçanërisht në infrastrukturë dhe projekte të tranzicionit të gjelbër, të cilat mund të japin stimul afatshkurtër dhe qëndrueshmëri afatgjatë.

Kjo krizë mund të ketë origjinën shumë larg nga Ballkani Perëndimor, por qeveritë e Ballkanit Perëndimor nuk janë të pafuqishme – dhe ato me të vërtetë mund të bëjnë shumë për të parandaluar elefantët që luftojnë të shkatërrojnë barin e tyre.

Analiza e kryer nga Branimir Jovanović, ekonomist për Ballkanin Perëndimor në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike. Përshtati: Gazetasi.al


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë