Keshilla

Kur duhet të bëjnë fëmijët punë shtëpie?

Psikologe Ann-Louise T. Lockhart thotë se një studim nga Harvard ka treguar se fëmijët që bëjnë punë shtëpie ‘performojnë’ më mirë në jetën e tyre kur rriten.

Këto punë mund të përmirësojnë edhe shëndetin mendor të fëmijëve pasi ato përfshihen dhe ndjehen të rëndësishëm. Sidoqoftë, çdo punë e përditshme duhet të futet në një moshë të veçantë dhe nuk duhet të përdoret si një mjet që prindërit të heqin disa punë nga shpatullat e tyre.

Në vend të kësaj, këto punë duhet të përdoren si një mënyrë për t’i dhënë fëmijëve mësime të vlefshme jete.

Ann-Louise thotë se punët në moshën 2-5 vjeçare, duhet t’i ndihmojnë ata të zhvillojnë aftësi të reja dhe t’u tregojnë atyre se çdo detyrë ka fillimin, mesin dhe fundin.

“Ato mund të heqin rrobat për të veshur të tjerat, ndërkohë rrobat që hoqën duhet të vendosen në koshin e rrobave.” tha ajo.

Detyrat më të lehta do t’u mësojnë atyre se si të zbërthejnë projekte më të mëdha në hapa më të vegjël në të ardhmen.

Në moshën 6-7 vjeçare fëmijët janë në gjendje të kontribuojnë më shumë dhe kjo është koha më e mirë për të kuptuar rëndësinë e punës në ekip dhe për të ndihmuar të tjerët.

“Fëmijët 6-7 vjeçare mund t’ju ndihmojnë në gatim, shtrimin e tryezës, bërjen e listave ushqimore dhe sjelljen e sendeve të nevojshme nga dyqani.” tha Ann-Louise.  

Gjithashtu kujdesi për një kafshë shtëpiake jo vetëm që i mëson të ndihmojnë por është edhe argëtim. Në përgjithësi, fëmija do të ndihet i përfshirë.

“Centers for disease Control and Prevention” institut kombëtar i shëndetit publik në Amerikë ka rekomanduar që fëmijët të bëjnë të paktën një orë aktivitet fizik ku padyshim mund të përfshihen dhe punët e shtëpisë.

Në moshën 8-9 vjeçare fëmijët arrijnë të kuptojnë se çdo gjë ka vendin e vet dhe janë gati të marrin më shumë përgjegjësi, si për shembull, menaxhimi i gjërave të tyre.

“Ata duhet të organizojnë hapësirën e tyre në mënyrë që çdo vegël, pajisje shkollore, lodër dhe pjesë e rrobave të shkojë në vendin e vet. Në këtë mënyrë, fëmija mëson të jetë i qëndrueshëm dhe si ta mbajë të rregullt hapësirën e tij të jetesës.

Ann-Louise thotë se mosha 10-11 vjeçare është e duhura që fëmijët të fillojnë të bëhen më të pavarur dhe kjo mund të bëhet duke i lënë ato të paketojnë vetë drekën e tyre për në shkollë apo dhe të përgatisin mëngjesin.

“Punë komplekse, me shumë faza, si bërja e mëngjesit inkurajon fëmijët të planifikojnë përpara dhe të kuptojnë hapat e nevojshëm për të përfunduar një detyrë.” Tha Ann-Louise.

 Kjo do t’i ndihmojë fëmijët me aftësitë e tyre të menaxhimit të kohës dhe zgjidhjes së problemeve.

Për adoleshentët, punët mund të ndihmojnë në ndërtimin e vetëvlerësimit pozitiv nëse trajtohen si të rritur. Pra, prezantimi i punëve të reja të përshtatshme për moshën mund të bëjë mrekulli për motivimin e një adoleshenti.

“Është e rëndësishme t’i mësoni ata të vetë-disiplinohen dhe të vendosin përparësitë.” tha Eugene Beresin, psikiatër dhe pedagog në Harvard.

Ai tha se në moshën 16-vjeçare nis përgatitja për jetën e të rriturve.

Kur fëmijët futen në adoleshencë, ata tashmë janë mjaft kompetentë dhe të vetëmjaftueshëm, kështu që punët e tyre përfshijnë gjithçka që një i rritur normal duhet të jetë në gjendje të bëjë. Ato përfshijnë menaxhim thelbësor të parave dhe trajtimin e situatave emergjente. Sidoqoftë, ndërsa të gjitha këto aftësi do të ndihmojnë patjetër adoleshentët të kalojnë më mirë gjatë jetës, “kjo nuk do të thotë që duhet t’i hidhni të gjitha punët mbi fëmijën tuaj. Në fund të fundit ata janë vetëm njerëz.” shton ai.

Burimi: Very Well Family, Raising children. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë