Analize

Kur do të vijë vaksina në Shqipëri? BE nuk di ta thotë

Një artikull i gazetës britanike “The Economist”, i cili parashikonte se vaksinat në Ballkanin Perëndimor pritet të arrijnë sipas skenarit më të mirë të mundshëm në vjeshtën e vitit 2021, ka ngjallur jo pak shqetësime. “The Economist” thotë se shpërndarja masive e vaksinave kundër Covid-19 në Shqipëri do të fillojë në vitin 2022, pasi vendet e Bashkimit Europian të kenë vaksinuar pjesën më të madhe të popullsisë. Pra, nuk ka dyshim mbi dallimet midis vendeve të pasura dhe të varfra të kontinentit;; dallime që do të bëhen më të dukshme se kurrë në muajt e ardhshëm.

Harta e “The Economist”

Kanadaja, SHBA, BE dhe Australia kanë blerë deri më tani shumicën e dozave që do të prodhohen vitin a ardhshëm, dhe COVAX, nisma e Fondacionit Bill Gates për vaksinimin e vendeve varfra dhe një nga “burimet” kryesore të Shqipërisë për marrjen e vaksinave, ka mbetur shumë mbrapa. BE është tanimë një nga blerësit më të mëdhenj në botë të vaksinave, por askush nga Brukseli nuk di të thotë se kur do të mbërrijnë dozat e para në Ballkan.

Kush janë blerësit kryesorë të vaksinave?

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, kanë premtuar se BE-ja do të ketë si prioritet vendet e rajonit, duke bërë publik edhe planin e shpërndarjes së vaksinës në rajon.

“Bashkimi Europian do të koordinojë donacionet e vaksinës nga shtetet anëtare, posaçërisht për mbrojtjen e punëtorëve shëndetësorë në Ballkanin Perëndimore dhe fqinjësi”, ka thënë Von der Leyen, duke folur pas samitit të fundit të BE-së, ku përgatitjet për vaksinim ishin ndër temat kryesore.

Burimet nga takimi i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së kanë thënë se në takim, Von der Leyen ka njoftuar se Komisioni Evropian tashmë ka porositur doza të mjaftueshme për vaksinimin e më shumë se 750 milionë qytetarëve. Duke qenë se BE-ja ka rreth 450 milionë banorë, ajo që është e qartë është se një pjesë e vaksinave, do t’u ndahen edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si prioritet. Por pyetja e vetme pa përgjigje është: kur?

Në Bruksel nuk ka përgjigje të prerë nëse donacionet e para të vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor do të jepen në të njëjtën kohë kur u dorëzohen edhe vendeve anëtare, apo kjo do të bëhet më vonë.

Burime nga BE thonë për “REL” se BE nuk mund të garantojë datat dhe afatet kohore për shpërndarjen e vaksinës në raJon pasi kjo varet edhe nga kapacitetet prodhuese të kompanive farmaceutike.

Ato kanë sqaruar se vaksinat për vendet e Ballkanit do të sigurohen paralelisht nga dy kanale. Më i rëndësishmi është furnizimi përmes koalicionit ndërkombëtare COVAX ku BE -ja po ashtu ka rolin kryesor dhe tashmë ka dhënë si donacion 500 milionë euro.

Në këtë koalicion ndërkombëtar për sigurimin e vaksinës janë 184 shtetet të botës, përfshirë edhe shtetet e Ballkanit. Vaksinat përmes COVAX do të jenë me çmim të favorshëm ndërsa për disa vende me të ardhura më të vogla do të sigurohen edhe falas. Burimet e BE-së vlerësojnë se nga vendet e Ballkanit, Kosova do të jetë e vetmja që do të marrë vaksinat falas përmes COVAX-it, sepse është vendi më i varfër i rajonit bazuar nga të ardhurat për kokë banori. Vaksinat që do të sigurohen përmes COVAX-it do të distribuohen përmes UNICEF-it.

Por, shpërndarja e vaksinave nga COVAC duket se nuk do të jetë në të njëjtën me ato që tashmë pitet të shpërndahen tek shtetet anëtare. Prandaj, Komisioni Europian është duke shqyrtuar që një pjesë e dozave për vendet anëtare të dërgohet edhe tek vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në mënyrë që vaksinimi të nis sa më shpejtë, BE-ja është duke shqyrtuar mundësitë se si të siguroj vaksinat për Ballkanin Perendimor edhe përmes donacioneve apo ndonjë sistemi të ngjashëm. Kjo do të siguroj një mbështetje për të siguruar një vaksinim relativisht të shpejtë për grupet me prioritet”, ka thënë Ana Pisonero, zëdhënëse për çështje të zgjerimit dhe fqinjësisë në Komisionin Europian.

Sipas ekspertëve të BE-së, tanimë kanë nisur koordinimet mes Komisionit Europian, vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për të siguruar dozat e para të vaksinave. Sapo të merren dozat e para të vaksinave shtetet anëtare do të vendosin një pjesë në dispozicion të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në mënyrë që të shmanget që disa shtete të BE-së t’u japin dozat e para të vaksinave të njëjtit shtet në rajon, dhe për të siguruar një shpërndarje të barabartë të vaksinave, është duke vazhduar bashkëpunimi mes Komisionit, vendeve anëtare dhe shteteve të rajonit.

Sipas strategjisë së BE-së vaksinat do të shpërndahen në të njëjtën kohë për të gjitha shtetet anëtare, me të njëjtat kushte, ndërsa numri do të caktohet në bazë të numrit të banorëve. Grupet me prioritet për vaksinim do të jenë punëtorët në sistemin e shëndetësisë, grupet e rrezikuara, të moshuarit e kështu me radhë. E njëjta strategji pritet të respektohet edhe nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Vaksinimi në vendet e BE-së pritet të nis në fillim të janarit. Belgjika dhe Holanda tashmë  kanë caktuar 5 janarin si ditë kur do të nis vaksinimi i grupeve të para. Vaksina e parë e cila pritet të marrë lejen nga Autoriteti rregullator i BE-së, dhe atë para fundit të këtij viti, do të jetë vaksina e prodhuar nga BioNTech/Pfizer.

Sipas Komisionit Euopian nga mesi i janarit pritet të jepet leja edhe për vaksinën e kompanisë Moderna. Pastaj, gjatë pranverës, do të pasojnë edhe lejet për vaksinat e AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.

Por, burimet e BE-së pohojnë se vendet e rajonit të Ballkanit duhet të përshpejtojnë edhe përgatitjen logjistike për vaksinim, pasi vaksinat e para, ato të BioNTech/Pfizer, duhet të transportohen dhe ruhen në temperaturë nën -70 gradë celsius, që është sfidë jo vetëm për vendet e rajonit të Ballkanit por edhe për vetë vendet e zhvilluara të BE-së.

Vaksinimi dhe imunizimi në Ballkan ka rëndësi për shtetet e BE-së edhe për shkak të lidhjeve të ngushta me rajonin, me shumë zyrtarë që thonë se qytetarët e BE-së nuk do të jenë të sigurt nëse vaksinimi i suksesshëm nuk është bërë edhe në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Burimet: “The Economist”, Euractiv”, “REL”, “NYT”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë