Ngrohja globale me deri 1.5 gradë celsius më shumë tani është pothuajse e pashmangshme dhe ne do ta arrijmë atë diku rreth vitit 2035, pavarësisht se çfarë mund të bëjmë.
Ky është përfundimi nga parashikimet më të fundit të klimës, të cilat tregojnë se edhe nëse arrijmë emetimet neto zero brenda 30 viteve të ardhshme, do të ngecim në atë nivel ngrohjeje deri në vitin 2070.
“Qëndrimi nën 1.5 C të ngrohjes globale nuk është aktualisht i besueshëm,” thotë Jochem Marotzke, nga Instituti Max Planck për Meteorologjinë në Hamburg, Gjermani.
Llogaritjet, të cilat janë publikuar në revistën “Weather” dhe bazohen në të dhënat nga raporti i fundit i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) , paraqesin ngrohjen globale të ardhshme në lidhje me temperaturën mesatare për periudhën 1850-1900.
Nëse emetimet mbeten në nivelin e tyre të lartë aktual, atëherë mund të presim të arrijmë 2 gradë celsius.
Ka ende një shans të vogël për të shmangur ngrohjen 1.5 gradë celsius, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse ndjekim skenarin e emetimeve shumë të ulëta – ku emetimet e dyoksidit të karbonit bien në zero brenda 30 viteve – dhe sistemi klimatik funksionon në favorin tonë.
“Ndjeshmëria ndaj diyoksidit të karbonit dhe ngrohja që rezultojnë nga emetimet historike do të duhej të ishin në skajin më të ulët”, thotë Marotzke.
Dhe ndërsa ndalimi i emetimeve të dioksidit të karbonit do të na mundësojë të stabilizojmë temperaturat globale, do të na duhet të ndalojmë të gjitha emetimet e gazrave serrë nëse duam të prodhojmë një rënie të temperaturës globale.
“Disa emetime si metani nga bujqësia janë shumë më të vështira për t’u reduktuar,” thotë bashkëautori Chris Jones nga Qendra “Met Office Hadley” në Exeter, Mbretëri e Bashkuar.
Ndikimi i ngrohjes globale tashmë po ndihet në formën e ngjarjeve më intensive dhe të shpeshta të motit ekstrem.
“Parashikimet e fundit tregojnë një shans 40% për të tejkaluar përkohësisht 1.5 gradë celsius në pesë vitet e ardhshme. Ka rrugë që do të arrijnë qëllimet e marrëveshjes së Parisit, nëse qeveritë zgjedhin t’i ndjekin ato në mënyrë aktive,” thotë Doug Smith nga “Met Office”.
Burimi: The Guardian/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



