Gazeta “Si” vazhdon të botojë fashikuj dhe dosje të 20 viteve më parë, atëherë kur Dritan Dajti përfundoi i pandehur për vrasjen e një biznesmeni, por edhe për disa ngjarje të tjera. Për njërën prej tyre prokuroria dështoi ta provojë për shkak të hetimit të dobët dhe mospërputhjes së provave, edhe pse ndërkohë e kishtë në dorë njërin nga dëshmitarët okularë që u tërhoq.
Gjithashtu gazeta “Si” po boton ekskluzivisht edhe detaje nga arratisja e Dajtit që zgjati disa vite dhe që do të duhej vrasja e katër policëve që i shumëkëkuari të përfundonte sërish në qeli, kësaj radhe në burgun e Peqinit, ku po vuan dënimin që nuk është i përjetshëm, por që së shpejti, nëse Gjykata e Lartë nuk formohet, mund të shohë lirinë.
Nëntë muaj pas vrasjes së biznesmenit Agim Beqa, prokuroria e dyshon Dritan Dajtin se ka vazhduar më tej rrugën në kriminalitet. Pikërisht në rrugën “Muhamet Gjollesha”, sipas burimeve të gazetës “Si”, por edhe fashikujve të hetuar në atë kohë kanë mbetur të plagosur shtetasit Adnand Derraj dhe Ergys Ferhati.
Gjatë hetimit paraprak të asaj kohe policia mori dëshminë e të plagosurve .
Derraj thotë: Në lokal u prezantua një person me emrin Dritan Dajti dhe pasi më ka kërkuar fillimisht llogari për konfliktin që ka pasur me shtetasin Edmond Sula më qëllloi me pistoletë.
Por më pas ky dëshmitar e ka përjashtuar emrin e Dajtit nga ngjarja. Megjithatë, akuza në atë kohë shton në fashikujt që gazeta “Si” disponon se e vetmja provë që e lidh të pandehurin Dritan Dajti me këtë ngjarje ishin gëzhojat e gjetura në vendngjarje, që i përkisnin një arme zjarri pistolete, që sipas aktit të ekspertimit është përdorur edhe në ngjarjen e vrasjes së viktimës Agim Beqa. Por kjo gjë shkaktoi debate të ashpra në gjykatë, pasi nga krahasimi i provave në vrasjen e Agim Beqes, Dajti kishte përdorur automatik dhe jo pistoletë si në episodin e dytë. Kjo përballje solli gjithashtu edhe tërheqjen e akuzës për plagosjen e dyfishtë. Për këtë çështje, Dritan Dajti mori pafajësinë.
Në një rast tjetër, pikërisht në vitin 2001 në zyrën e lotarisë sportive “Eurolloto” katër persona të maskuar dhe të armatosur përmes dhunës vodhën 5.5 milionë lekë. Në dosjen që gazeta “Si” disponon përshkruhet se si gjatë kontrolleve gjatë ditëve më vonë policia i gjeti Dritan Dajtit katër tufa me prerje 1 mijë lekëshe, që kishin shenjën dalluese të firmës në fjalë.
Dajti deklaroi në atë kohë se “lekët e gjetura i përkasin xhiros ditore të shitjes së disa karrigeve në dyqanin ku punonte”.
“Ata u nxehën dhe më qëlluan”… çfarë rrëfeu dëshmitari?
Në gjykatë njëri nga punonjësit me inicialet I.Xhafa tregoi: Isha në detyrën e arkëtarit tek firma 'Eurolloto'. Ishin në dhomë brenda nja 10 veta që dorëzonin paratë. Në moment hyjnë disa persona me maska që më duket se ishin 4 vetë. Ishin të armatosur, me revole me tytë të gjatë. Na thanë mos lëvizni dhe u afruan tek mua dhe më kërkuan çelësin e kasafortës. Kasaforta kishte 2 rafte. Në pjesën e sipërme nuk kishte lekë dhe ishte e mbyllur. Pasi morën lekët e kasafortës poshtë më kërkuan çelësin, por unë u thashë që nuk e kam, por e ka pronari. Ata u nxehën dhe më goditën me grushte dhe qytën e revoles. Mua m’u ça koka dhe u gjakosa. Morën rreth 5 milionë lek.
Si përshkruhet Dritan Dajti nga gjykata në atë kohë?
Në vendimin gjyqësor, ku Dajti shpallet fajtor për vrasjen e Agim Beqës dhe për vjedhjen me dhunë të një lotoje, ai cilësohet si cenues i paprekshmërisë së jetës, pasurisë dhe sigurisë publike. Në vazhdim argumentohet edhe rrezikshmëria e tij.
Gjykata: Nisur nga raportet shoqërore të cenuara nga veprat penale të kryera, gjykata konkludon se i pandehuri Dritan Dajti paraqet rrezikshmëri për shoqërinë dhe prandaj ai duhet veçuar nga ajo. Gjykata në caktimin e llojit dhe të masës së dënimit ka parasysh rrezikshmërinë e theksuar shoqërore të veprave penale të kryera nga i pandehuri, faktin që i pandehuri gjatë zhvillimit të gjykimit ka mbajtur qëndrim mohues dhe që ai është larguar për t'i shpëtuar dhënies së drejtësisë.
Arratisja…
Në nëntor 2003, teksa Dritan Dajti po gjykohej për episode e mësipërme në Gjykatën e Tiranës, sapo mbërrin në gjykatë ai u kërkon policëve të paraburgimit 313 që ta shoqërojnë në banjë për nevoja personale. Banja gjendej fare pranë sallës së gjykatës në katin e parë. Por gjithçka ishte menduar më parë, ishte planifikuar fare mirë. Në dosjen eksklusive që gazeta “Si” disponon prokuroria përmend detaje që përshkruajnë ftohtësinë e të akuzuarit nga njëra anë, ndërkohë që gjykata e mbështet këtë qëndrim gjatë shpalljes së fajësisë, ku edhe thotë që ai arriti që edhe në burg të planifikonte arratisjen dhe të gjente armë.
Prokuroria shton:
“Shoqërimin e tij e bënin punonjësit e policisë Halim Sula, Qemal Prençi e Besnik Muça. Para se të fillonte seanca gjyqësore, të pandehurit i ndërrohen prangat dhe hapet dera për të hyrë dëgjuesit. Pikërisht në këtë moment i pandehuri arrin të lirojë duart nga prangat, nxjerr një pistoletë dhe pasi ua drejton policëve duke i kërcënuar se do t’u hidhte trutë në erë, del nga salla dhe largohet. Në rrugë e pret një motorçikletë dhe pasi hipën në të largohet pa u kapur nga policia”.
Një gjykatë tjetër pas arratisjes së tij përsërit sërish rrezikshmërinë Dajtit, kësaj radhe duke shtuar edhe shkallën e lartë kriminale. Në dosjen që gazeta “Si” disponon thuhet se për masën e dënimin u mbajt parasysh “rrezikshmëria e lartë shoqërore e veprave të kryera prej të pandehurit, ku ajo e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit paraqitet shumë e lartë për vetë mekanizmin e përdorur nga i pandehuri, që tregon se i pandehuri ka një shkallë kriminale tepër të lartë dhe njëkohësisht paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore për faktin se dhe duke qenë i izoluar në burg arrin të organizojë armatosjen e tij dhe largimin nga vendi i vuajtjes së dënimit duke përdorur një armë zjarri, duke kanosur punonjësit e shërbimit të policise, duke sfiduar në mënyrë flagrante ligjin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.