“Ai do të ndryshojë jetën tuaj, do të shkatërrojë marrëdhëniet tuaja dhe kur të ketë bërë plotësisht për vete, do të shkatërrojë edhe ty. Këtë bën ai”, i thotë një grua e moshuar një gruaje tjetër, e cila, në një seri ngjarjesh të çuditshme, e ka gjetur veten me një fëmijë në krahë.
Kjo deklaratë në episodin e tretë të serialit komedi-horror “The Baby” ka të ngjarë të jetë e vërtetë me këdo që ka në jetë një të porsalindur që bërtet për herë të gjashtë, shtatë ose tetë për qumësht natën. Në shfaqje, pavarësisht fytyrës së tij ëngjëllore dhe çizmeve të vogla të lezetshme të verdha, foshnja në fjalë është shkatërruese në një shkallë ekstreme: një demon vrasës që vret brutalisht këdo që i kalon para, duke qeshur me kënaqësi pas çdo vrasjeje.
Michelle De Sëarte luan si Natasha, kuzhinierja që përfshihet në histori kur shpëton një fëmijë që bie nga një shkëmb. Dhe ndërsa kjo përrallë britanike surreale, shpesh gazmore ju tërheq me një komplot plot kthesa, alegoria që ajo paraqet është e qartë që në fillim: mëmësia, nganjëherë, mund të jetë një shfaqje totale horror.
Ky serial do të tregojë më shumë për temën tradicionalisht emocionuese, ndoshta një anë tjetër të mëmësisë që askush nuk guxon ta tregojë.
“Ne ishim të emocionuar kur menduam se me këtë serial do të heqim idealet kulturore rreth amësisë”, thotë bashkë-krijuesi Siân Robins-Grace për serialin, “dhe duke zbuluar forca më të errëta dhe të dhunshme, padyshim të lejon ta shohësh mëmësinë në një këndvështrim tjetër, sikur po thyen tabu”.
Thyerja e këtyre tabuve është diçka që është bërë e përhapur kohët e fundit. Ndërsa filmat klasikë si Rosemary’s Baby, The Omen dhe Mommie Dearest e shikonin përvojën e mëmësisë si një përvojë të tmerrshme, stereotipi i një nëne në ekran ka qenë tradicionalisht një grua e bukur, vetëmohuese që qëndron në shtëpi, e lidhur me idenë se jeta e saj sillet rreth fëmijëve të saj. Siç thotë Robins-Grace: “Unë mendoj se shumë mënyra se si përshkruhet mëmësia janë të holla dhe jokritike dhe përforcon idenë se ‘nëna’ është thjeshtë femër, e drejtë, e klasës së mesme, e kujdesshme dhe edukuese”.

Bashkë-krijuesja e serialit Lucy Gaymer shton se për të, seriali dhe zhanri ishte një mënyrë për të përpunuar betejat e saj të brendshme rreth amësisë. “Zanafilla e kësaj ideje vjen nga unë që jam në të 30-at dhe ndihem vërtet konfuze nëse doja të bëhesha prind apo jo dhe nuk e kuptova deri pasi kishim planifikuar episodin e parë.
Ajo thotë se ndjenja e pasigurisë për t’u bërë nënë është e frikshme dhe ndonjëherë izoluese dhe shkatërruese.
Ai ankth dhe izolim që gratë mund të përjetojnë ndërsa mendojnë për një nga vendimet më të mëdha të jetës përkeqësohet më shumë pasi lindin dhe kuptojnë se do të rrisin një fëmijë.
Këto emocione janë eksploruar përsëri në filmin e vitit 2016 Prevenge, një tjetër histori horror në të cilën fetusi i një gruaje shtatzënë e urdhëron atë të kryejë një sërë vrasjesh për t’u hakmarrë për vdekjen e partnerit të saj. Ndërsa zëri i vogëlushit që e kërcënon atë është sigurisht ekstrem dhe qesharak, por, thellë, flet për frikën që shumë mbartin për fuqinë që ka mbi ta qenia e gjallë brenda tyre. Siç thotë Ruth (Alice Loëe) për mungesën e një skanimi me ultratinguj: “Unë nuk dua të di se çfarë ka atje. Kam frikë prej saj. Nuk e kam as kontrollin. Është sikur të jem një budallaqe, e rrahur, që jam pasagjere dhe fëmija po nget makinën”, përpiqet t’i shpjegojë ajo infermieres.
Në Prevenge, përveç të gjitha zbavitjeve me prerje dhe vrasje, nënkuptohet se Ruth është tashmë një nënë e keqe pasi po thyen kodin e pathënë të respektimit dhe të mos ankimit, pasi foshnja e saj as nuk ka lindur ende. Në një intervistë, Lowe e cila ishte shtatzënë në muajin e tetë kur shkroi, luajti dhe drejtoi filmin tha: “I mora të gjitha zhgënjimet gjatë shtatzënisë. Ndjehesha në një botë të errët dhe gjithë këto ndjesi i hodha në film”.
Një nënë tjetër që thyen kodin është Leda, protagonistja e “Vajzës së Humbur”, një serial i përshtatur nga romani i Elena Ferrante i vitit 2006.

Edhe pse nuk është një histori horror, Leda (Olivia Colman) konsiderohet si një përbindësh nga familja që takon në plazh gjatë pushimeve në Greqi, duke përfshirë gruan shtatzënë të cilës ajo i thotë troç: “Fëmijët janë një përgjegjësi dërrmuese”.
Përmes rikthimit në kohë, shihet Leda e re (Jessie Buckley) si një nënë e re duke luftuar me karrierën, marrëdhëniet, dhe ndjenjat e saj. Kjo luftë e ka bërë atë të urrejë mëmësinë.
Kur bëhet fjalë për zhgënjimet e mëmësisë, serialet Motherland dhe Workin’ Moms eksplorojnë këtë territor në një mënyrë më të lehtë, duke vënë në plan të parë në një mënyrë realiste dhe gazmore mashtrimin që priten prindërit, kryesisht nënat për të ndërmarrë. Gabimet do të bëhen në mënyrë të pashmangshme, dhe atëherë ka fajin dhe turpin për të luftuar kur kjo të ndodhë.
Ashtu si Leda, ne shohim gjithashtu personazhin kryesor të Motherland, Julia (Anna Maxwell Martin) duke u përballur me furi me identitetin e saj si nënë në një mënyrë që ndihet shumë autentike; përballet me prindërimin kur ka dëshirën për të bërë karrierë.
Një tjetër dramë komedi që ka ngulitur ndërlikimet dhe emocionet kontradiktore të përvojës së nënës është ajo e Australisë The Letdown. Filmi tregon historinë e shtatzënisë dhe lindjes, e shfaqur në mënyrë tipike në një montazh të bukur, të rregullt, dy minutësh të një gruaje duke qarë dhe duke bërtitur. Pasi ka kaluar një lindje shqetësuese, ne shohim Audrey (Alison Bell) duke minimizuar seriozisht përvojën e saj dhe duke justifikuar veten pse lindi me operacion, që njerëzit mos ta paragjykojnë.
Don’t Forget To Scream është një përmbledhje esesh që kuptojnë ndryshimet psikologjike dhe trazirat e rënda emocionale të të bërit nënë, të cilat gjithashtu reflektojnë se pse njerëzit nuk janë kaq të gatshëm të flasin për këto.
“Pasi vajza ime lindi tetë vjet më parë, kur u përpoqa t’u tregoja njerëzve se çfarë po më ndodhte, ata më thanë se e kisha gabim ose thjesht po e teproja” thotë Marianne Levy duke shpjeguar se çfarë e shtyu atë të shkruante librin. “Ishte sikur, kur u bëra nënë, gjuha ime kishte humbur kuptimin e saj. Kështu që kur djali im lindi, në vend që të flisja, unë shkrova”.
Shkrimtarë që thyejnë tabu
Levy, me shkrimin e saj të sinqertë dhe të domosdoshëm, i bashkohet një sërë grave të tjera që kanë shkruar së fundmi libra për lindjen dhe rritjen e fëmijëve. Mother Ship nga Francesa Segal, I Am Not Your Baby Mother nga Candice Brathwaite, My Wild and Sleepless Nights nga Clover Stroud, dhe What I did? nga Laura Dockrill janë vetëm disa libra që flasin pa tabu për mëmësinë.
Shkrimtarë të tjerë janë kthyer në mënyrë të veçantë në trillime kohët e fundit për të portretizuar mëmësinë në formën e saj më të tmerrshme nga gruaja që kthehet në qen në “Nightbutch” të Rachel Yoder (tani po bëhet një film me Amy Adams) te ‘gjysma zog-gjysmë-njeri’ e The Harpy.
Një pyetje që është ngritur është: të gjitha këto përshkrime a shkojnë shumë larg anës negative të amësisë, duke përjashtuar atë pozitive? Në fund të fundit, ka, sigurisht, një sërë përvojash të gëzueshme që mund të kenë edhe nënat. Megjithatë, Levy kundërshton idenë se kultura po bëhet shumë negative për mëmësinë, duke vënë në pikëpyetje atë që është me të vërtetë një përshkrim “negativ” në radhë të parë: “Për mua, përshkrimi negativ është ai i nënës së përsosur; imazhi tradicional i një gruaje të mbushur plot me dashuri.
Në përgjithësi, fakti që filmat aktualë, serialet televizive dhe librat mund të na tronditin dhe të shkatërrojnë iluzionet tona kolektive për amësinë është vetëm një gjë e mirë, thotë Levy.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




