Kombëtarja shqiptare është e fundit sa i përket përzgjedhjes së ndeshjeve miqësore të muajit mars nga të gjitha skuadrat e kualifikuara për në “Gjermani 2024”.
Data e fundit për dorëzimin e listës së ndeshjeve miqësore ishte 16 janari, ndërkohë që drejtuesit e ekipit kuqezi kërkuan edhe 10 ditë kohë shtesë në përpjekje për të gjetur kundërshtarin e duhur. Kundërshtar, që do t’i shërbejë trajnerit dhe ekipit për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e grupit me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.
Dhe sot kuqezinjtë kanë zbuluar kundërshtarin e parë, Suedinë, me të cilën do të zhvillojnë miqësore në muajin mars, një hapësirë datash zyrtare kjo e FIFA-s për ndeshje kontrolli në të gjithë Botën.
Shqipëria do të udhëtojë drejt Suedisë për këtë ndeshje miqësore më 25 mars. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Friends Arena” në Stokholm, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar orari.
Mbetet ndërkohë edhe një kundërshtar tjetër, që ende nuk është zbardhur nga stafi i Kombëtares, por me gjasë do të luhet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, si një takim i fundit për ekipin kuqezi përpara tifozerisë së tij të zjarrtë, para fillimit të Europianit në qershor.
Sa i përket miqësores me Suedinë, kjo do të jetë hera e gjashtë që dy përfaqësueset përballen. Në të kaluarën Shqipëria dhe Suedia janë përballur vetëm një herë në miqësore, që është fituar nga kuqezinjtë me rezultatin 2-1. Në 4 ndeshjet e tjera zyrtare ka fituar skuadra suedeze.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.