Futboll

Kuqezinjtë titullarë në Kupat e Europës, kualifikohen Hysaj Strakosha dhe Kumbulla

Mision i përmbushur për Lacion, që në ndeshjen e pestë në Grupin E në Ligën e Europës ka mundur 0-3 Lokomotivën e Moskës dhe është kualifikuar për në fazën me eliminim direkt. Për të evituar ndeshjen shtesë dhe për të siguruar direkt 1/8-at, Lacio duhet të mundë Gallatasarajin në “Olimpico”. Golat për italianët u shënuan nga Imobile (2) me penallti dhe Pedro.

Tomas Strakosha dhe Elseid Hysaj ishin titullarë në këtë ndeshje dhe janë vlerësuar me notën 6. Paraqitja e tyre ishte mesatare në këtë 90-minutësh, që i shërben më shumë portierit kuqezi, i cili ka nevojë të aktivizohet sa më shumë minuta për të rigjetur formën optimale.

Në Ligën e Europës ishte titullar edhe sulmuesi Ernest Muçi te Legia e Varshëvës, që u mund 3-1 nga Leiçesteri në Angli. Në këtë ndeshje luajti 20 minuta edhe mesfushori Jurgen Çelhaka. Mungoi këtë herë Myrto Uzuni dhe Ferencvaroshi u mund 2-0 nga Betisi në Spanjë.

Marash Kumbulla. Gazeta Si, 25 nentor 2021

Një mbrëmje pozitive ishte edhe për Marash Kumbullën. Mbrojtësi kuqezi luajti 90 minuta në ndeshjen e Ligës së Konferencës ndaj ukrainasve të Zorias, ku Roma fitoi 4-0. Kumbulla luajti 90 minuta të plota, ndërsa Roma me këtë fitore u kualifikua për në fazën tjetër të kompeticionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë