Humbja me Poloninë e ka komplikuar situatën për Kombëtaren shqiptare, që të paktën në ndeshjet në shtëpi nuk duhet të gabojë. As barazimi nuk bën punë dhe sot (ora 18:00), në “Elbasan Arena”, kuqezinjtë janë “të dënuar” të fitojnë. Hungaria është një rival direkt në grup dhe trajneri Reja, duke ndjerë ndoshta edhe rrezikun e pozicionit të tij, e ka thënë se duhet patjetër fitorja.
Shqipëria vjen në ndeshjen e sotme me tre mungesa titullarësh: Hysaj, Manaj dhe Bare. Fatmirësisht, në këtë moment Kombëtarja jonë ka alternativa dhe trajneri italian nuk ka vështirësi sa i takon ndërtimit të formacionit, edhe pse ata që mungojnë janë tre nga lojtarët me më shumë përvojë.

Prapavija nuk ndryshon dhe as skema e lojës. Para portierit Berisha do të jetë treshja Gjimshiti-Ismajli-Kumbulla, me këtë të fundit të kritikuar për paraqitjen në Varshavë, madje edhe me një polemikë në distancë mes babait të lojtarit të Romës dhe ish-kapitenit të Kombëtares, Rudi Vata. Në qendër të mesfushës do të jenë Abrashi dhe Gjasula, në të majtë Trashi dhe në të djathtë, në vend të Hysajt, me shumë mundësi do të luajë Doka, që ka pak a shumë të njëjtat karakteristika.
Nedim Bajrami pritet të debutojë me fanellën kuqezi në pozicionin e një numri 10. Ai mund të konsiderohet lojtar i mesfushës (me të skema mund të kalojë në 3-4-1-2), por me fantazinë dhe formën që gëzon, do të jetë një ndihmë e madhe për dy sulmuesit. Bajrami është lojtari që mezi është pritur në Kombëtare dhe sot do të jetë në qendër të vëmendjes.
Në sulm, vendin e Manajt pritet ta marrë Uzuni, një lojtar në formë të mirë fizike, i cili ndaj Polonisë luajti vetëm disa minuta në fund. Ndeshja e sotme është një mundësi e artë për beratasin, që të fitojë kuota për të qenë titullar. Cikalleshi ka pasur një problem me gjurin në seancën e fundit, por ai do të shtrëngojë dhëmbët për të qenë në fushë. Autori i golit ndaj Polonisë gëzon një formë shumë të mirë. Nëse ai nuk ia del, mund të aktivizohet Balaj. Edhe në stol nuk mungojnë alternativat, me Brojën në krye.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë
Berisha
Ismajli Gjimshiti Kumbulla
Doka Abrashi Gjasula Trashi
Bajrami
Cikalleshi Uzuni
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




