Futboll

Kuqezinjtë që spikatën në vitin 2024

Viti që lamë pas ishte i mbushur me emocione dhe arritje të rëndësishme për kuqezinjtë në arenën ndërkombëtare. Pjesëmarrja e dytë në 3 edicionet e fundit në kampionatin evropian ishte qershia mbi tortë. Tani që gjithçka i përket historisë, mund të bëjmë disa bilance dhe të përmendim disa emra të tjerë që spikatën gjatë një viti kalendarik. Nga të gjithë ata që u grumbulluan vetëm 5 lojtarë zhvilluan çdo ndeshje gjatë vitit 2024, po flasim për Kristjan Asllanin, Mario Mitajn, Nedim Bajramin, Qazim Laçin dhe Jasir Asanin. Por vetëm njëri prej tyre qëndroi në fushë në çdo minutë të kuqezinjve, ai është mesfushori Kristjan Asllani për një total prej 1170 minutash.

Kristjan Asllani duke përshëndetur tifozët

E meqënëse jemi tek minutat e zhvilluara me Kombëtaren gjatë vitit që lamë pas, i dyti pas Asllanit (Inter, Serie A) që luajti më shumë ishte Mario Mitaj. Mbrojtësi që aktualisht aktivizohet në Superligën Arabe (Al Ittihad), qëndroi për 1126 minuta në fushë për kuqezinjtë. Podiumin e plotëson portieri Thomas Strakosha (AEK Athinë) që fitoi konkurencën dhe e mbrojti portën për 1080 minuta, përfshi edhe ato në Euro 2024. Kthehemi në mesfushë dhe aty gjejmë Ylber Ramadanin (Lecce) që gjatë vitit të kaluar qëndroi në fushë për 1021 minuta duke lënë pas Nedim Bajramin (Glasgow Rangers) me 6 minuta më pak.

Arbër Hoxha në debutim

Duke qënë se Kombëtarja ka nevojë gjithmonë për energji të reja edhe Sylvinho ka zbuluar dhe aktivizuar emra të rinj gjatë drejtimit të tij në krye të Shqipërisë. Gjatë 2024 ne pamë katër lojtarë që zbritën në fushë për të parën herë me fanelën kuqezi. Në rend kohor, i pari debutoi Arbër Hoxha, futbollisti i Dinamos së Zagrebit luajti ndaj Kilit në 22 Mars 2024 në “Ennio Tardini”. Ai hyri nga stoli në 79’ duke zëvendësuar Taulant Seferin në miqësoren e humbur ndaj amerikano-latinëve.

Medon Berisha gjatë grumbullimit

Me më shumë fat në debutim ishte Medon Berisha (Lecce), i cili debutoi në 3 Qershor në “Haladás Stadion”. Edhe ai hyri nga stoli në 76’ në vend të Asanit në fitoren ndaj Lichtenstein. I treti që debutoi për kuqezinjtë në vitin 2024 ishte Sebastian Spahiu (Rafsanjan), ndaj Gjeorgjisë më 10 Shtator. Në “Air Albania Stadium” u fut si zëvendësues i Asanit në 73’ në humbjen që kuqezinjtë pësuan në UEFA Nations League. Kuarteti i debutuesve u plotësua nga Indrit Tuci ndaj Çekisë më 11 Tetor në “Epet Arena” në Pragë. Sërish në një ndeshje për UEFA Nations League, futbollisti i Spartës mori vendin e Dakut në 65’.

Mario Mitaj në Euro 2024

Edhe në UEFA Nations League ishin katër lojtarë që zhvilluan çdo minutë të vlefshme për këtë kompeticion. Ata për të cilët po flasim janë Thomas Strakosha, Ardian Ismajli, Mario Mitaj dhe Kristjan Asllani. Ky ishte viti 2024 i kuqezinjve që do të pasohet nga një tjetër po kaq i rëndësishëm, 8 ndeshje në 8 muaj për të siguruar pjesëmarrjen e pare në një Kupë Bote. Nuk do të jetë e lehtë por ata do të provojnë dhe ne besojmë. Gjithçka fillon më 21 Mars, në orën 20:45 ndaj Anglisë në Wembley.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë